Krijohet roboti që ndihmon në zbulimin dhe trajtimin e kancerit të zorrës së trashë

0
98

Pajisja bën skanime 3D të sistemit tretës, të cilat mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të një prej kancereve më vdekjeprurës në botë

Shkencëtarët kanë ndërtuar një robot të vogël “eksplorues” të zorrës së trashë për të zbuluar dhe potencialisht trajtuar kancerin e zakonshëm dhe vdekjeprurës, në atë që cilësuar si përparimi i fundit në fushën në zhvillim të robotikës mjekësore, ka raportuar Financial Times.

Kjo makinë bën skanime 3D të zorrës së trashë që më parë ishin të pamundura, duke përdorur formën e saj që ngjan me një guaskë për të kaluar përmes sistemit tretës, ndërkohë që drejtohet nga një magnet jashtë trupit. Ky robot mund të rrisë nivelin e zbulimit të kancerit të zorrës së trashë, i cili është i trajtueshëm nëse zbulohet në fazat e tij të hershme, por është shkaku i dytë më i madh i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën.

“Kjo robotikë minimale mund të përmirësojë ndjeshëm diagnostikimin e hershëm dhe, në të ardhmen, të përdoret për dërgim dhe lëshim të ilaçeve bredna sistemit tretës”, ka thënë Nikita Greenidge nga Universiteti Leeds, autore kryesore e studimit të botuar në Science Robotics.

Nikita Greenidge nga Universiteti Leeds, autore kryesore e studimit

Studiuesit nga selia e Universiteti Leeds, në Glasgow dhe ajo në Edinburg shpresojnë të fillojnë provat klinike me robotin e madhësisë së monedhës vitin e ardhshëm, pas testeve të suksesshme në derra.

Makina është e shtypur në 3D nga një material i ngurtë dhe ka një formë që quhet “oloid”, e cila i lejon një gamë të gjerë lëvizjesh dhe kontakt me sipërfaqet.

Studiuesit kanë thënë se kjo do të thotë se mund të lëvizë dhe të bëjë fotografi të zorrës së trashë në një shkallë që më parë ishte e pamundur.

Roboti i vogël, i gjerë sa një monedhë, është testuar mbi sipërfaqe që simulojnë strukturat e zorrës së trashë, ezofagut dhe stomakut.

Ky robot mund të mundësojë skanimin virtual të kancerit dhe do të eliminonte vonesat, kostot dhe komplikimet që lidhen me metodat tradicionale të biopsisë, të cilat bazohen në nxjerrjen e mostrave nga indet trupore.

Skanimi, diagnoza dhe terapia mund të realizohen “në një procedurë të vetme”, në vend të proceseve aktuale shumëfazore që zgjasin me javë ose më shumë.

Sipas studiuesve, metoda e re mund të jetë veçanërisht e dobishme për gratë. Zorra e trashë te gratë është më e gjatë se sa ajo e burrave, gjë që do të thotë se skanimet standarde që përfshijnë vendosjen e një tubi mund të jenë më të vështira për t’u realizuar dhe më të dhimbshme.

“Ky projekt është shembull i mënyrës se si teknologjia përparimtare po mundëson zhvillimin e zgjidhjeve të shpejta, jo-invazive që kanë potencialin për të revolucionarizuar diagnozën dhe trajtimin e kancerit”, ka thënë Jane Nicholson, drejtoreshë ekzekutive në Këshillin e Shkencave Inxhinierike dhe Fizike të Mbretërisë së Bashkuar, i cili financoi pjesërisht studimin.

Kanceri i zorrës së trashë, i njohur gjithashtu si kanceri kolorektal, është kanceri i tretë më i zakonshëm në botë. Në vitin 2022 në 185 shtetet që mbulohen nga Observatori Global i Kancerit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u regjistruan 1.9 milion raste të reja dhe 900,000 vdekje nga kanceri i zorrës së trashë.

Shkalla e kancerit të zorrës së trashë te individët nën 50 vjeç ka pësuar rritje në shumë shtete me të ardhura të larta. Shkencëtarët janë duke hetuar lidhjet e mundshme me dietat e pasura me ushqime të shumëpërpunuara.

“Ky robot i ri mund të jetë inovacion i rëndësishëm nëse provohet plotësisht në provat klinike”, ka thënë profesori Naeem Soomro, anëtar i Këshillit dhe nënkryetar i Komitetit të Shkencës së Kirurgjisë në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve të Anglisë.

Por ai ka thënë se studime të tjera janë të nevojshme për të verifikuar sigurinë, efikasitetin klinik dhe koston përpara se të mund të integrohet në praktikat mjekësore dhe kirurgjikale rutinore.

Robotët po përdoren gjithnjë e më shumë në mjekësi për detyra të tilla si përmirësimi i diagnostikimit dhe për kryerjen e operacioneve më pak invazive duke mundësuar që mjekët të bëjnë prerje më të vogla te pacientët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here