​Kreu i OSBE-së përmbyll vizitën në Kosovë: Erdha të marr informata të dorës së parë për reformat në drejtësi

0
564

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri polak i Punëve të Jashtme, Zbigniew Rau, pas takimit me liderët politikë, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ka qenë informimi lidhur me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, lirisë së medieve dhe reformimin e sistemit elektoral.

Në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, ministri polak ka deklaruar se me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë ka diskutuar për mënyrat si OSBE-ja mund të ofrojë ndihmë në terren.

“Qëllimi i vizitës sime ka qenë të takohem me liderë institucionalë, partnerë të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të marrë informata të dorës së parë për sa i përket reformave në vijimësi e sipër në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, rritjes së lirisë së mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore, shumë të nevojshme”.

“Kemi diskutuar për mënyra të ndryshme në të cilat OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren, pranisë së saj në terren. OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike. Shpresoj sinqerisht që kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore”, ka thënë ai gjatë një deklarate për media.

Gjatë ditës, Rau ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, kryeministrin Albin Kurtin, ministren e Jashtme, Donika Gërvallën, si dhe ka zhvilluar takim me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Ministri polak ka takuar edhe kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aktivistë të shoqërisë civile. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here