Krerët e shtetit: 17 Shkurti i 2008-tës arritja më e madhe historike e shtetit tonë, Republika e jonë s’ka qenë asnjëherë më e fortë

0
168

Tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, pas ngritjes së flamurit tek Qeveria e Kosovës kanë uruar qytetarët për 16-vjetorin e pavarësisë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 17 Shkurti i 2008-tës është arritja më e madhe historike e shtetit tonë.

“Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i urojë të gjithë qytetarët e Kosovës sepse gjithsecili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tonë. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari. Janë bërë hapa shumë përpara dhe të vendosur për të treguar para botës që Kosova e ka merituar lirinë dhe pavarësinë, por është edhe garantuese e paqes edhe përtej kufijve të saj”, tha Osmani, shkruan Reporteri.net.

Kurse kryekuvendari Glauk Konjufca, tha se sot është dita më e rëndësishme e shtetit tonë.

“Sot është ditë e festimit dhe reflektimit dhe falënderimi shkon për dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, dhe veprimtarët e aktivistët politik që shteti jonë të krijohet, dhe padyshim për miqtë tonë ndërkombëtarë që të lind shteti i Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, poashtu ka kujtuar gjithë dëshmorët e martirët që sakrifikuan jetën për shtetin e Kosovës.

“Para një muaji ne përkujtuam 25 vjetorin e masakrës së Recakut, pas 3 jave do ta kemi 26 vjetorin e Epopesë, kurse pas katër muajve ditën e çlirimit të Kosovës. Rezistenca e çlirimit i paraprinë pavarësisë dhe e forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë e progresit shoqëror”, tha Kurti.

Ai shtoi se përvjetori i 16-të i pavarësisë e zë Kosovën me pasaportën e saj duke mundësuar qytetarët të lëvizin lirshëm.

“Në aspektin ekonomik e demokratik, e të sigurisë dhe integritetit, Republika e jonë nuk ka qenë asnjëherë më e fortë, më e sigurtë dhe demokratike”, tha Kurti.

“U jemi falënderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues”, tha Kurti. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here