Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka zhvilluar takim me Odën e Zejtarëve të qytetit, ku është pritur nga kryetari Afrim Tejeci dhe përfaqësues të zejtarëve, shkruan 04 Online.
Krasniqi vlerësoi lart rolin e Odës së Zejtarëve si promotore të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe social në Prizren, duke theksuar se zejtarët dhe prodhuesit vendorë do të kenë gjithmonë mbështetjen e tij.
Ai u zotua se brenda gjashtëmujorit të parë të qeverisjes do të funksionalizojë zonën industriale të qytetit, duke e konsideruar zhvillimin e prodhimit vendor si bazë për një Prizren të fortë dhe të drejtë.
“Me vizion dhe gatishmëri për të ardhmen, u zotuam që do të jemi gjithmonë pranë zejtarëve dhe prodhuesve tanë. Zhvillimi i prodhimit vendas është baza e një Prizreni të fortë dhe të drejtë,” tha Krasniqi.