Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të sektorit prodhues si bazë e zhvillimit ekonomik të qytetit, duke vizituar Industrinë e Mishit “Xhoshkun”, një prej bizneseve më të njohura dhe më të vjetra në Prizren, shkruan 04 Online.
“Industria e mishit Xhoshkun – që nga viti 1974, simbol i traditës dhe cilësisë në Prizren. Sot, një fabrikë moderne me mbi 60 të punësuar, shembull i përkushtimit dhe punës,” ka deklaruar Krasniqi, duke e vlerësuar këtë kompani si model të suksesit vendor.
Ai ka theksuar se zona industriale e planifikuar do të jetë një prej projekteve strategjike të mandatit të tij, që do të krijojë kushte të reja për biznese, prodhues dhe punësim të qëndrueshëm për të rinjtë.
“Kjo është rruga e zhvillimit që duam ta forcojmë. Zona industriale do të jetë zgjidhja për bizneset tona, për prodhuesit tanë dhe për punësimin e rinisë sonë. Sepse Prizreni meriton më shumë – meriton zhvillim, punë dhe drejtësi sociale,” ka shtuar Krasniqi.
Sipas tij, bashkëpunimi mes komunës dhe sektorit privat është çelësi për rritje ekonomike dhe për një Prizren që krijon mundësi për të gjithë qytetarët.