Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së ndarjes së subvencioneve nga DKRS, duke e quajtur procesin të kapur nga lidhjet partiake dhe interesa klienteliste, raporton 04 Online.
Ai ngre shqetësimin për mundësinë e një skeme korruptive dhe kërkon hetim nga Prokuroria për të gjithë procesin.
Krasniqi u bën thirrje komisionit vlerësues dhe drejtorit të DKRS-së të japin llogari për vendimet e tyre dhe kërkon ndaljen e abuzimeve me mjetet publike.
Reagimi i plotë i Besnik Krasniqit:
KRIMI I SUBVENCIONEVE NË DKRS – STOP ABUZIMIT ME PARATË E QYTETARËVE!
Çdo ditë e më tepër, ndarja e subvencioneve nga DKRS po merr përmasa shqetësuese dhe kriminale. Kemi hyrë në një fazë ku “dosat”, lidhjet partiake dhe shërbimet politike janë bërë kriteret kryesore për ndarje të parave publike — ndërkohë që klubet serioze, organizatat e ndershme dhe qytetarët e devotshëm të këtij vendi po injorohen, poshtërohen dhe dëmtohen.
Ka zëra të besueshëm që thonë se nuk del subvencioni nga DKRS-ja pa premtu një përqindje “njerëzve të pushtetit”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi përballë një krimi të rëndë ekonomik e moral, që meriton jo vetëm reagim publik, por edhe hetim penal.
Unë jam me klubet e sportit që djegin energjinë për fëmijët tanë, me OJQ-të që punojnë për kauza të pastra, dhe me çdo qytetar që kërkon drejtësi, jo miqësi.
I bëj thirrje drejtorit të DKRS-së dhe komisionit vlerësues që të japin llogari publike për secilën vendimmarrje të tyre!
Nëse kanë ndarë mjete me kritere të dyfishta, ose nëse kanë shpërblyer “dostanë” në vend të meritës — atëherë duhet të mbajnë përgjegjësi. Politike, morale dhe ligjore!
Kjo është kohë llogaridhënieje, jo pazari!
Kjo është kohë për ta ndalë klientelizmin dhe kapjen e sportit, kulturës dhe rinisë nga njerëzit që e shohin DKRS-në si bankomatin e partisë!
Ftoj publikisht Prokurorinë që të hetojë skemën e ndarjes së subvencioneve nga DKRS në tërësi – për çdo vendim, çdo emër dhe çdo cent!
Boll ma me “klubet e grurit” që mbijnë para konkurseve dhe zhduken sapo marrin paratë.
Boll më me komisione që e dinë vendimin para se të lexojnë aplikimet.
E drejta do të kthehet!
Drejtësia nuk vjen me heshtje – vjen me zë, me qëndrim dhe me përballje!