Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve politike në qytet, duke thënë se Prizreni nuk ka nevojë për gladiatorë që luftojnë për karrige, por për njerëz që punojnë për qytetarët, raporton 04 Online.
Ai theksoi se zhvillimi nuk vjen nga konfliktet, por nga mendja dhe zemra, ndërsa drejtësia ndërtohet mbi barazi, jo hakmarrje.
“Prizreni nuk ka nevojë për gladiatorë që luftojnë për karrige–ka nevojë për burra e gra që punojnë për qytetarët.
Mjaft më me lojëra të ulëta.
Zhvillimi nuk vjen prej grushtave, por prej mendjes dhe zemrës.
Drejtësia nuk ndërtohet me hakmarrje, por me barazi.
E barazia nuk lind nga favoret partiake, por nga dinjiteti njerëzor.
Unë nuk jam këtu për t’i ra daulles bosh, as për të bërë politikë për sy e faqe.
Jam këtu sepse Prizreni meriton më shumë – dhe do ta marrë, me ose pa lejen e atyre që janë mësuar ta mbajnë peng.
Koha e cirkut mbaroi.
Koha e ndërtimit ka nisë.
Mos e ngatërroni heshtjen tonë me pajtim.
Populli është duke shikuar – dhe nuk harron!”, ka shkruar në profilin e tij në ‘Facebook” Krasniqi./04 Online