Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për agresionin rus në Ukrainë është shprehur se populli ynë e ka ende të freskët përvojën me një agresion ushtarak, prandaj populli i Kosovës e kupton shumë mirë dimensionin tragjik të kësaj situate.
Krasniqi tha se është hap i duhur dhe shumë i nevojshëm që ky agresion të dënohet edhe nga deputetët në Kuvend, përmes një rezolute, sepse nuk cenon vetëm sovranitetin e një vendi të pavarur dhe parimet ndërkombëtare, por edhe vlerat qytetëruese demokratike e perëndimore, me të cilat Kosova jeton pandashëm.
“Partia Demokratike vlerëson se Republika e Kosovës duhet të shkojë edhe një hap më tej, për të ofruar mbështetje konkrete brenda mundësive tona për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Duke pasur parasysh faktin se agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po përshkallëzohet dhe po prodhon pasoja të mëdha si në jetë njerëzish, ashtu edhe në krizën humanitare, Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të ndajë një shumë prej 1 milion eurosh për qeverinë dhe qytetarët e Ukrainës, për t’iu dalë në ndihmë në këtë periudhë të rëndë për ta. Po ashtu, duke vlerësuar se kriza humanitare po merr karakter të shpërnguljes së dhunshme të qytetarëve të Ukrainës, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndërmarrë iniciativën që në rast nevoje, të mundësojë strehimin e së paku 5000 qytetarëve ukrainas të shpërngulur nga lufta.”, theksoi lideri i PDK-së.
Krasniqi tha se kriza në Ukrainë përbën edhe një kërcënim për sigurinë Evropiane dhe më gjerë dhe PDK vlerëson se është momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, drejt statutit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe në NATO.
“Prandaj vlerësojmë se është momenti i duhur që të shohim në drejtim të arkitekturës së sigurisë së Republikës së Kosovës, duke u bërë proaktiv për të aderuar aty ku përfaqësohemi dhe ndajmë vlerat tona të përbashkëta demokratike e qytetëruese. Ky është moment kyc për ne, që të ndjekim në mënyrë të hapur dhe të pandalshme, interesat tona kombëtare e shtetërore. Duke filluar që nga procedura e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, drejt statutit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe NATO”, tha ai.