Krasniqi pas takimit me Lajçak: Ia shpreha rezervat që ka PDK për marrëveshjen, s’e kundërshtojmë Asociacionin

0
197

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e partisë në Prishtinë të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Sinjali.

Pas takimit, Krasniqi ka folur para mediave lidhur me takimin, ku ka bërë me dije temat e diskutimit me Lajçak, teksa ka thënë se e ka njoftuar atë se PDK-ja ka rezerva sa i përket planit franko-gjerman.

“Në diskutimet për marrëveshjen e propozuar Lajçakut ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së, rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjes për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë po edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo me njohjen e ndërsjellë por me Asociacionin në qendër”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së po ashtu tha se në marrëveshje janë disa nene të caktuara, që sipas tij shkojnë edhe përtej Asociacionit, të cilin u shpreh se nuk e kundërshtojnë, dhe përtej Kushtetutës së vendit.

Ai pohon se PDK ka qëndrim konsistent që nga viti 2018 dhe ai lidhet me arritjen e qëllimit për njohjen e ndërsjellë.

“Sot ne nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot ne nuk kemi njohje të ndërsjellë. Sot kemi një marrëveshje të përkohshme, sot kemi Asociacionin të cilin ne nuk e kundërshtojmë, sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai edhe kur të themelohet duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës pa dyshim. Por kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë edhe përtej Asociacionit e që është më e keqja edhe përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Andaj këto qëndrime tona nuk janë befasuese për partnerët ndërkombëtarë, sepse ne gjithë kohës kemi qenë në komunikim, në koordinim dhe në diskutime dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, por gjithsesi, qëndrimi konsistent i PDK-së jo vetëm i shprehur së voni në kuadër të zhvillimeve të procesit të tashëm, por që nga viti 2018 dhe formalisht, i ndërlidhur është vetëm me arritjen e qëllimit për njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t’i bindë mbështetësit ndërkombëtarë për ta mbështetur Kosovën në realizimin e qëllimeve të saj.

“Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot ne nuk kemi njohje të ndërsjellë, sot kemi një marrëveshje të përkohshme, kemi Asociacionin të cilin ne nuk e kundërshtojmë, sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët, por kemi nene të caktuara në marrëveshjen që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit e përtej Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.

Ai ka shtuar se pa njohje të ndërsjellë vetëm do të ketë vazhdim të dialogut.

Ndryshe, pas ditës së djeshme ku u takua me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, emisari Lajçak, ka nisur të premten takimet me përfaqësuesit e partive opozitare.

Lajçaku pritet të takohet gjatë ditës edhe me zyrtarë të LDK-së e AAK-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here