Krasniqi pas peticioneve në veri: Nuk do të lejojmë shantazhin nga Serbia

0
166

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti, Elbert Krasniqi, ka folur për peticionin për largimin e kryetarë shqiptarë nga komunat në veri.

Krasniqi tha se lidhur me këtë çështje, institucionet në Kosovë nuk do të lejojnë shantazhin nga Serbia.

“Ishin dorëheqje të njëpasnjëshme. Shteti u mobilizua dhe dha përgjigjen e duhur. Zgjidhja ishte edhe ajo për zgjedhjet e reja. Si institucione nuk do të lejojmë shantazhimin nga Serbia”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi tha se si kundërpërgjigje ndaj veprimeve në veri, ishte edhe çështja e peticionit.

“Kryetarët e kaluar ishin në zyre me një numër jo të madh të votave. Kemi pasur vazhdimisht protesta për heqjen e tyre. Kështu pamë mundësitë se si një kryetar të largohet nga institucioni”, tha ai.

Ai po ashtu e konfirmoi se “të gjitha komunat në veri tashmë kanë bërë kërkesat formale për largimin e kryetarëve”.

Nënshkrimet për largimin e kryetarëve në veri u mblodhën në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here