Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar pas aktakuzave të fundit ndaj zyrtarëve të Komunës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme, përcjell 04 Online.
Ai tha se aferat korruptive po dalin në shesh njëra pas tjetrës, ndërsa akuzoi kryetarin aktual të Komunës për ushtrim presioni mbi zyrtarë dhe përfshirje të drejtpërdrejtë në vendime të dyshimta që kanë favorizuar individë të caktuar.
Reagimi i plotë i Besnik Krasniqit:
Në Komunën e Prizrenit, aktakuzat kanë fillu të rriten si kërpudhat pas shiut – një pas një, zyrtarë të lartë po dalin në shesh për lidhjet e tyre me afera korruptive.
Rasti i fundit, zyrtarja e urbanizmit, s’është hiç i izoluar. Ky rast dyshohet që lidhet drejtpërdrejt me kryetarin e Komunës – jo vetëm që dyshohet që ka ushtru presion mbi zyrtarë, por thuhet që vetë ka nënshkruar dokumente që i kanë hapur rrugë “bonuseve të ndërtimit” për dostat dhe klanet e tij të interesit.
Po flasim për përdorim të pozitës për përfitime personale – e këtu s’ka më dilema, kjo është GRABITJE e pasurisë publike.
Rasti tjetër ku mbi 7 zyrtarë janë nën aktakuzë e konfirmon vetëm një gjë: komuna është kthyer në pronë private për një grusht njerëzish që s’e njohin as ligjin, as ndershmërinë.
Shteti duhet me reagu fuqishëm. Jo me gjoba qesharake e aktakuza që marrin pluhur, por me hetime të thella e me dënime shembullore.
Nëse drejtësia nuk vepron sot, nesër do jetë vonë.
Prizreni nuk është pronë e askujt. Ky qytet i përket qytetarëve.