Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Krasniqi, ka shprehur vendosmërinë e tij për ta kthyer lagjen Kurillë në një zonë moderne dhe me zhvillim të qëndrueshëm, duke e cilësuar si një nga prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës, shkruan 04 Online.
Krasniqi theksoi se Kurilla është lënë për vite të tëra në harresë, duke u shndërruar në një “geto urbane, pa plan dhe pa kujdes”. Ai theksoi se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më gjatë dhe se qytetarët e kësaj pjese të Prizrenit meritojnë dinjitet dhe kushte të denja për jetesë.
“Kurilla meriton më shumë! Për vite të tëra është lënë në harresë… në geto urbane, pa plan, pa kujdes. Por ne do ta shpëtojmë Kurillën!,” – u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se koha e premtimeve ka kaluar, duke theksuar se programi i tij bazohet në punë konkrete, guxim dhe ndryshim të vërtetë, në dobi të çdo qytetari të Prizrenit.
“Koha e premtimeve kaloi. Tani është koha e punës, e guximit dhe e ndryshimit.” – theksoi ai.
Sipas Krasniqit, shpallja e Kurillës zonë të veçantë ndërtimi do të hapë rrugën për projekte të reja infrastrukturore, rregullim urbanistik dhe investime që do ta bëjnë këtë lagje një pikë të rëndësishme zhvillimore në qytet.