Kandidati i LDK-së për Kuvendin e Prizrenit, Qemal Krasniqi, ka reaguar ndaj ndërtimit të stadiumit të ri “Përparim Thaçi”, duke e quajtur projektin aktual një gabim strategjik dhe urbanistik, shkruan 04 Online.
Sipas tij, kapaciteti prej vetëm 7,500 ulësesh nuk i përshtatet madhësisë e traditës sportive të Prizrenit, ndërsa vendndodhja nuk plotëson kushtet për infrastrukturë moderne.
Krasniqi propozon riparimin e stadiumit ekzistues për klubet lokale dhe ndërtimin e një arene të re, më të madhe dhe sipas standardeve të UEFA-s, në periferi të qytetit.
Reagimi i plotë i Qemal Krasniqit
Reagim për ndërtimin e stadiumit “Perparim Thaçi”
Ndërtimi i stadiumit të ri në vendin ku ndodhet aktualisht “Perparim Thaçi” dhe në këto përmasa është një gabim strategjik dhe urbanistik.
1. Përmasat e projektit
Një stadium me vetëm 7,500 ulëse nuk i përgjigjet madhësisë dhe traditës sportive të Prizrenit. Qyteti ynë me mbi 180 mijë banorë dhe histori të gjatë në futboll e sport, meriton një arenë më të madhe, moderne dhe të përshtatshme për ndeshje kombëtare e ndërkombëtare.
2. Vendndodhja
Hapësira aktuale ku është nisur ky projekt është e ngushtë dhe nuk plotëson kushtet për:
• parkingje të mjaftueshme,
• rrugë hyrëse dhe dalje funksionale,
• hapësira përcjellëse sportive
Ky stadium, i planifikuar më shumë si shëtitore sesa si infrastrukturë sportive, nuk mund të shërbejë interesave afatgjata të qytetit.
Nuk guxon që stadiumi ndihmes te eliminohet e te behet shetitore.
3. Zgjidhja më e arsyeshme
Stadiumi ekzistues duhet riparuar dhe përfunduar në pjesët e mbetura të papërfunduara, për t’i shërbyer klubeve lokale, akademisë së KF Liria, FC Prizrenit dhe klubeve tjera të qytetit.
Ndërkohë, stadioni i madh i Prizrenit duhet të ndërtohet në një vend tjetër – në periferi të qytetit, ku ka hapësirë për infrastrukturë moderne, me kapacitet më të madh dhe sipas standardeve të UEFA-s.
Si Përfundim ;
Ne kërkojmë që institucionet përgjegjëse të rishqyrtojnë vendimin dhe të marrin parasysh nevojat reale të qytetit dhe klubeve sportive.
Qemal Krasniqi ish kryetar i KF Liria dhe Anëtarë i Kuvendit ne Prizren.