Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se në raport me temën e dialogut, Kurti duhet të jetë transparent. Ai ka kritikuar Kurtin për papërgjegjësi karshi rastit të ambasadorit Martin Berishaj.
Sipas tij dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, bëhu serioz dhe transparent. Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë guximi dhe transparencë në lidhje me procesin e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se për t’i arritur interesat e Republikës së Kosovës nga ky proces, Kurti s’ka nevojë të jetë as mistik, as hero, as tradhtar, por thjeshtë një kryeministër i përgjegjshëm.
“Mbështetjen e ke, qëllimet janë publike, rezultatet i presim. Prandaj, të ftoj që të bëhesh serioz, ta kuptosh përgjegjësinë që ke dhe ta ushtrosh atë përgjegjësi në mënyrë transparente, sepse qytetarët e Kosovës nuk janë të painteresuar, ashtu siç po i konsideron ti ndonjëherë”, tha kryetari i PDK-së.
Sipas tij e vetmja gjë që nuk është as fisnike e as pragmatike, është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që të takon, kur e mashtron vetveten se do t’i arrish qëllimet me sukses, duke u fshehur pas parimeve, përderisa vepron sipas rrethanave.
“Fatkeqësisht, kjo është rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti, me mënyrën se si i është qasur qeverisjes në përgjithësi, ndërsa në veçanti zhvillimeve të fundit në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dua që t’ia bëj të qartë kryeministrit, se në raport me temën e Dialogut, nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente”, tha Krasniqi.