Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas konferencës së jashtëzakonshme të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Krasniqi tha se një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, pasi kryeministri Kurti dhe qeveria e tij me gabimet e tyre po e sjellin punën që të dëmtohen raportet ShBA-Kosovë.
“Një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, sepse kur zoti Kurti dhe Qeveria e tij me veprimet dhe gabimet e tyre e sjellin punën që qeveria amerikane, edhe përmes ndihmë sekretarit amerikan të Shtetit, edhe përmes deklarimit në konferenca të jashtëzakonshme të ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë del dhe e thotë qartazi se partneriteti mes Kosovës dhe Amerikës është dëmtuar”.
Krasniqi u shpreh se Kurti nuk e ka legjimitetin e shkatërrimit të aleancave të Kosovës.
“Albin Kurti nuk e ka legjimitetin me i shkatërrua aleancat e Kosovës. Kurti ka fituar zgjedhjet për t’i realizuar premtimet që u ka dhënë njerëzve”.
Sipas tij, automatikisht duhet ndërmarrë veprime për të ndryshuar dhe kthyer ky raport qenësor ekzistencial i Kosovës si ka qenë gjithmonë në të kaluarën.
“Automatikisht duhet ndërmarrë veprime për të ndryshuar dhe kthyer ky raport qenësor ekzistencial i Kosovës aty ku ka qenë dhe aty ku e dëshirojnë qytetarët e vendit tonë”, theksoi kreu i PDK-së.