Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij në seancën e sotme plenare ka folur për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Sinjali.
Krasniqi ka bërë thirrje që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë dhe bashkësia ndërkombëtare ta rris presionin që Serbia t’i dorëzojë ata.
“Prandaj sot para të gjithave është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan e realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tonë ndërkombëtarë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata”, tha Krasniqi.
Krasniqi më tej ka thënë se terroristët duhet të marrin dënimin e merituar dhe sipas tij, kjo është detyrë morale pas humbjes së jetës të rreshterit Bunjaku.
“Sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që realizuan në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku, meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale që të sigurojmë përgjegjësit që të përballen me pasoja”, tha ai.
“Për PDK-në interesi nacional mbetet mbi të gjitha. Si PDK i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë ta mbrojmë atdheun dhe të garantojmë sigurinë e secilit qytetar pa dallim. Prandaj në këtë periudhë është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, veçanërisht ata shqiptarë të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë. Do të vijë koha edhe për beteja të brendshme, por është koha sot për solidaritet”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka bërë thirrje te komuniteti ndërkombëtar që të nis hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas tij, pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti, Serbia nuk mund të jetë palë e besuar në asnjë lloj procesi përpara.
“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nis një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetu përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën. Ne tashmë të gjithë e dimë dhe jemi të bindur, por duam që me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare. Sepse pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti, Serbia nuk mund të jetë palë e besuar në asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që bashkësia ndërkombëtare ta njohë agresionin e vazhdueshëm të Serbisë mbi Kosovën, pasi kjo po vazhdon të cenojë integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe situata e sigurisë duke qenë e brishtë siç është nuk na lë hapësirë të jemi të ekzaltuar me atë që ka ndodhë, por duhet të jemi vigjilentë dhe të përgatitur për atë që mund të ndodh”, tha Krasniqi në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.