KQZ publikon listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës

0
48

Një ditë më parë ka nisur periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin mënyrën se si duan të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Po një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi, pas shumë debatesh, numrin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit, proces i cili do të mbahet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 66 vendvotime të vendosura në 36 shtete të botës. Megjithatë, kjo listë mund të rishikohet nga KQZ-ja, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.

“Gjithashtu, KQZ ka caktuar numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Po ashtu, sipas vendimit të këtij institucioni, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ, është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 103,550”, thuhet në njoftimin e shpërndarë sot nga KQZ-ja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.

“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

LINKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here