KQZ jep detaje për votimin me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve

0
75

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për detajet rreth procesit të votimit me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 9 nëntor.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, KQZ ka bërë të ditur se të drejtën për të votuar me postë e kanë vetëm ata votues që janë regjistruar gjatë periudhës së aplikimit për raundin e parë të zgjedhjeve.

“Kjo vlen vetëm për votuesit e komunave ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve. KQZ do të dërgojë materialet e nevojshme për votim në adresën tënde të banimit me postë”, thuhet në njoftim.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

“Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues”, thuhet në njoftim.

Më tej, KQZ ka bërë të ditur se “sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave është 29,725 votues”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here