Kostoja e proceseve zgjedhore më 2025 mund të arrijë në 28 milionë euro

0
50

Brenda pak ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet ta dërgojë në Qeverinë e Kosovës kërkesën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Se sa do të jetë shuma e planfikuara nga KQZ, në këtë institucion nuk kanë treguar me arsyetimin se është duke u përgatitur, por nëse vlera do të jetë e përafërt me zgjedhjet e llojit të njëjtë, parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, atëherë kostoja e të gjitha proceseve zgjedhore të mbajtura vetëm gjatë vitit 2025 mund të arrijë në rreth 28 milionë euro. 

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, për zgjedhjet e 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet lokale 10.5 milionë të tjera. KQZ ende nuk ka raporte përfundimtare që tregojnë se sa mjete janë shpenzuar nga këto planifikime. 

“Buxheti i planifikuar nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt, ishte në vlerën e 8.7 milionë Euro. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë Euro. Ndërkaq, buxheti i planifikuar për qëllim të organizimit të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025, është në vlerën e mbi 10.5 milionë Euro. Në këtë planifikim buxhetor, përfshihet dhe organizimi i raundit të dytë të zgjedheve për Kryetarë të Komunave. Në përfundim të këtij procesi dhe përmbylljes së të gjitha procedurave, do të kemi një raport përfundimtar dhe do të kemi të dhëna të sakta se sa nga mjetet e planifikuara janë shpenzuar”, tha Elezi për EO.

Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Elezi tha se KQZ është në proces të përgatitjes së planifkimit buxhetor dhe se kërkesën do ta dërgojnë për miratim në Qeverinë e Kosovës. 

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim, në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi. 

Sipas arsyetimeve të KQZ-së, Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së në organizimin e procesit zgjedhor dhe kjo reflektohet edhe në koston e planifikuar. 

Po ashtu, sipas KQZ-së pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhore dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here