Republika e Kosovës përballet me sfida të konsiderueshme në raport me ndryshimet klimatike, të cilat ndikojnë në mjedisin, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Për adresimin e tyre ka burime të kufizuara financiare dhe njerëzore, ndërkohë që nuk shquhet as për planifikimin e qëndrueshëm të bazuar në të dhëna.
Raportet e organizatave ndërkombëtare të publikuara në muajt e fundit shpërfaqin pozitën e palakmueshme të Kosovës në këtë aspekt.
Raporti i Grupit të Bankës Botërore mbi klimën dhe zhvillimin për Kosovën (linku: https://bit.ly/4iTIrhW) i publikuar rishtazi ka bërë të ditur se investimi në qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni i ekonomisë nga burimet fosile tek ato të ripërtëritshme do ta ndihmojë Kosovën të forcojë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të mbrojë qytetarët e saj nga rreziqet natyrore.
Raporti ka konstatuar se Kosova duhet të investojë rreth 2.8 miliardë dollarë amerikanë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur banorët dhe pronat nga pasojat gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike.
Duke zbatuar iniciativa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, sipas Raporti, Kosova mund të përmirësojë zhvillimin e kapitalit njerëzor, të ndihmojë fuqinë punëtore të fitojë aftësi të reja dhe të zgjerojë mundësitë për tregti. Investimi në përshtatje do të sjellë edhe përfitime të tjera ekonomike, përfshirë sektorë kyç si bujqësia, duke mbrojtur jetesën rurale, apo sektorët e hekurudhës dhe mbetjeve, ku identifikohen përfitime për mjedisin dhe shëndetin publik.
Raporti nënvizon se përshpejtimi i tranzicionit energjetik për të arritur emetime neto zero në të gjithë ekonominë e Kosovës deri në vitin 2050 është i mundur, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe veprime vendimtare në nivel kombëtar dhe rajonal. Për shembull, termocentralet me djegie të linjitit do të duhet të dalin gradualisht jashtë përdorimit dhe të dekomisionohen plotësisht deri në vitin 2045, duke u zëvendësuar me zgjerim të theksuar të kapaciteteve të erës dhe diellit, të mbështetura nga teknologji për depozitimin e energjisë dhe lidhje të forta rajonale.
Sektori privat, sipas Bankës Botërore, do të luajë rol kritik në shtytjen e këtij transformimi duke investuar në energji të ripërtëritshme, duke zhvilluar teknologji novatore dhe duke ndërtuar partneritete për të krijuar një të ardhme energjetike më të qëndrueshme.
Para këtij publikimi, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i publikuar në vitin 2024 (linku: http://bit.ly/4fg0vjO) pat konstatuar se sa i përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka bërë disa përparime duke miratuar Ligjin për Ndryshimet Klimatike. “Megjithatë, një objektiv për neutralitetin klimatik deri në vitin 2050 mungon, dhe miratimi dhe zbatimi i legjislacionit janë ende në pritje.
Miratimi i strategjive për dekarbonizim dhe adaptim është gjithashtu në pritje. Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) duhet të miratohet sa më parë. Kuadri legjislativ për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin e emetimeve të gazrave serrë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet, si dhe një mekanizëm për çmimin e karbonit për t’u përafruar me sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së. Paralelisht, Kosova duhet të zbatojë masa për adaptimin dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike”, thuhet në raport, ku po ashtu kërkohet përforcimi i kapaciteteve të institucioneve përkatëse, përfshirë inspektimet.
Në raport me Konventat ndërkombëtare, institucionet e Kosovës kanë marrë përsipër angazhime në baza vullnetare lidhur me këtë fushë, sikurse edhe zotimin për të harmonizuar legjislacionin për energjinë dhe klimën me ato të BE-së.
Madje pozicioni zyrtar i institucioneve të Kosovës është se po bëhen përparime të rëndësishme pavarësisht përjashtimit të saj nga grantet shumëpalëshe të financimit për klimën. Në të njëjtën kohë pranohet se ky rrugëtim ka një kosto dhe se mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për të mundësuar përballjen e këtyre sfidave drejt krijimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme për rajonin dhe Evropën.
Për këto arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon institucionet e Kosovës që të thellojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar diversifikimin dhe dekarbonizimin në energji, për të forcuar kapacitetet financiare, njerëzore e ligjore, mbështetjen e komuniteteve të prekura, përmirësimin e infrastrukturës dhe paralajmërimin e hershëm, sikurse edhe promovimin e pjesëmarrjes publike. Angazhimet në këtë drejtim do të mundësonin që Kosova të përballet në mënyrë më të përgatitur me sfidat e ndryshimeve klimatike, si dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj, por edhe të krijojë një të ardhme më të gjelbër për qytetarët.
Shkruan: EC Ma Ndryshe
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online