Kosova zyrtarisht aplikon për anëtarësim në BE

0
186

Kryeministri Albin Kurti, ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Kurti e ka quajtur ditë historike për Kosovën të enjten kur në Pragë ka dorëzuar aplikimin për statusin e shtetit kandidat në BE.

“Kjo është ditë historike për popullin e Kosovës dhe ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë. Letra që kam sjellë bartë shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së. I përgjigjet vizionit të Evropës që është e përgjithshme e plotë dhe në paqe dhe një Evropë që ka të ardhme të ndritur”.

Kurti ka shtuar se Kosova e kupton detyrën e saj dhe se me meritat e veta i duhet të shkojë përpara.

“Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe ne jemi në rrugën tonë evropiane. Kemi Samitin e Selanikut para 20 vjetësh, dhe para disa jave kishim samitin në Tiranë. Pas dorëzimit zyrtar të aplikacionit ne mirëpresim që këshilli i BE-së të kërkojë nga Komisioni Evropian opinionin dhe pastaj të prezantohet pyetësori legjislativ si aplikues, e pastaj të përgjigjemi”.

“Rruga jonë përpara bazohet mbi meritat tona vetanake. Nuk kërkojmë përshpejtim e as derë anësore për integrimet evropiane dhe duam të bashkohemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Duam ta ndërtojmë vendin tonë me popullin tonë, një BE e plotë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka deklaruar se për Kosovën është realitet që do t’i duhet një afat mesatar që procesi i pranimit në BE të përmbyllet. Sipas tij, ky afat mund të jetë 9 vjet bazuar me shtetet e tjera të cilave u është dashur të kalojnë për t’u anëtarësuar.

“BE-ja është destinacion që synojmë dhe fati që përqafojmë. BE-ja paraqet punën e zellshme që duam të gëzojmë. Që nga momenti kur dorëzohet aplikacioni deri te pranimi janë nevojitur afate të ndryshme për vende të ndryshme, që nga Suedia e Finlanda 3 vjet e te Malta 14 vjet, një mesatare prej 9 vjetësh. Është reale për Kosovën që të paguajë këtë kohën mesatare”.

Kurti, është pyetur në konferencë për media edhe në lidhje me çështjen e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Siç e dimë, kur kemi nënshkruan Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën ishin dakord dhe nuk besoj se pakica e shteteve anëtare të BE-së, që ende nuk e njohin Kosovën, do të jenë kundër që ne t’i bashkohemi familjes evropiane”, tha Kurti

Ministri i Çekisë për Çështje Evropiane, Mateus Bek, ka thënë se është nder për të që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Ai ka theksuar se Presidenca çeke në 6 muajt e fundit i ka vënë vëmendje të jashtëzakonshme Ballkanit Perëndimor.

“Është nder për mua si kryetar i Këshillit të BE-së të pranojë aplikacionin e Kosovës. Na vjen mirë që kemi arritur të avancojmë tutje çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Na vjen mirë që është arritur konsensus Këshilli me Parlamentin Evropian për këtë çështje. Është satisfaksion i jashtëzakonshëm. Mirëpres kohën kur do të kem më shumë liri për të folur për politikën evropiane. Qeveria e Çekisë mbështet Kosovën në këtë aspekt”, ka thënë Bek.

Bek tha se Çekia e mbështet Kosovën drejt rrugës evropiane. 

“Mirëpres kohën kur do të kem më shumë liri për të folur për politikë evropianë. Qeveria e Çekisë mbështet Kosovën në këtë aspekt”, ka thënë Bek./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here