Qeveria nënshkroi këtë javë vendimin i cili i hapë rrugën procesit që Kosova të bëhet me industri të sajën për prodhim të municionit. Televizioni Dukagjini ka mësuar ekskluzivisht se planet e ministrisë së Mbrojtjes janë që shteti të prodhojë mbi 20 lloje të dronëve. E, për prodhimin e municionit shteti e ka pjesërisht të gatshme infrastrukturën e ish-fabrikës së municionit në Prekaz të Skenderajt.
Përveç doronëve Bayraktar të prodhuar në Turqi, në qiellin e tonë pritet të fluturojnë edhe fluturake pa pilot që pritet t’i prodhojë vet Kosova.
Pasi këtë javë Qeveria nisi procesin për themelimin e Fabrikës së Municionit dhe Laboratorit për Dizajnim e Zhvillim të Dronëve/Fluturakeve pa pilot, televizioni Dukagjini mëson ekskluzivisht se planifikohet të prodhohen rreth 20 lloje të dronëve.
Drona të ngjashëm si këta arrijnë shpejtësi maksimale varësisht nga lloji deri në 95 km/h, dhe mund të bartin peshë deri në 1 kilogram.
Planet e shtetit për të prodhuar municion ose plumba për armët e ushtrisë i kanë kthyer sytë kah gërmadhat e së kaluarës.
Një e tillë ndodhet jo më larg se 1 kilometër nga kullat e familjes Jashari në Prekaz.
“Fabrika e municionit në Skenderaj i punësonte mbi 300 persona, ajo kishte 4 reparte të përpunimit ndërsa kapaciteti i saj ishte deri në 4500 plumba për një orë. Ajo e furnizonte jo vetëm Jugosllavinë, por edhe shtete të Evropës e madje kishte interesim edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Në fabrikën ku dikur punonte Haxhi Qerimi prodhoheshin 4 lloje të plumbave për pushkë të gjuetisë. Përfaqësuesi i punëtorëve të ish-fabrikës është merakli i këtij zanati.
Në zyrën e tij ruan edhe kujtimet e së kaluarës e edhe dëshminë e madhështisë së dikurshme.
“Ky është bazamenti lëndën e parë e kemi marrë në Vushtrri e kemi prodhuar këtu, ky është tubacioni lëndën e parë e kemi marrë në Itali është polipropilen e kemi prodhuar këtu, kjo është kapsolla e kemi marrë prej Bosnjes, ky është baruti e kemi marrë në Poloni, këto janë saçmet i kemi prodhu këtu se plumbin e merrshin në Zveçan, edhe fillcja është edhe këtë e kemi prodhu këtu”, ka deklaruar Haxhi Qerimi – Përfaqësues i punëtorëve të ish-Fabrikës së Municionit.
Në fabrikën ku dikur punonin bashkë me Hamëz Jasharin, kohëve të fundit Qerimi ka nisur të kthehet më me vullnet. Komisioni ndërministror i cili mund të nisë procedurat e nevojshme për hapjen e fabrikës, e ka mundësinë të prodhojë municion, madje fiks në këtë lokacion që ka sipërfaqe gati 19 hektarë.
“Plumbi shembull po e marr bëhet prej 4 elementeve, bazamentin, këtu mundemi me e prodhu, kapsullat duhet me i marrë diku jashtë, edhe barutin duhet me e marrë diku jashtë, edhe plumbin fishekun, nëse fillon Zveçani me punu me e çkri plumbin, plumbat mundemi me i rregullu vetë”, ka deklaruar Haxhi Qerimi – Përfaqësues i punëtorëve të ish-Fabrikës së Municionit.
Lidhur me vendimin e Qeverisë, televizioni Dukagjini ka kërkuar një qëndrim nga Zyra e presidentes Vjosa Osmani. Përmes një përgjigjeje me shkrim, këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, ka thënë se Presidentja Osmani vazhdimisht ka diskutuar për çështjen e industrisë së mbrojtjes me FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, prandaj e vlerëson të mirëseardhur këtë plan të ri./Dukagjini.com