Kosova sot voton në 18 komuna

0
147

Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, balotazhin, i cili do të mbahet në 18 komuna.

Procesi zgjedhor nis që nga ora 07:00 dhe do të përfundojë në ora 19:00, raporton Gazeta Sinjali.

Një ditë para mbajtjes së balotazhit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimet.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se materialet janë dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komunat, ku sot do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka treguar se për këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, është thënë në komunikatën për media.

Sot, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

KQZ ka shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund.

Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

Të drejtë vote do ta kenë edhe të rinjtë që kanë mbushur 18 vjet pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor.

“Në rundin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në rundin e parë, me disa përditësime. Konkretisht, kjo listë është plotësuar me emrat e 1,690 të rinjve që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Po ashtu, nga lista janë larguar rreth 1,150 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë nga fillim shtatori deri në javën e fundit të tetorit”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka sqaruar se në listën votuese, nuk do të përfshihen as lëvizjet eventuale të qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

KQZ po ashtu bëri të ditur se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët e vëzhguesit, për raportim të parregullsive dhe për të kërkuar informacione apo udhëzime për procesin e votimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here