Kosova ka mbetur jashtë Këshillit të Evropës. Forumi vendimmarrës për anëtarësim, Komiteti i Ministrave, nuk e përfshiu në agjendë çështjen e anëtarësimit, pasi Kosova nuk përmbushi një prej kushteve që disa nga shtetet kryesore kishin vënë – përcjelljen në Kushtetuese të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Moskalimi i hapit të fundit drejt Këshillit ka nxitur reagime në Qeveri dhe opozitë
Kosova nuk e ka kaluar hapin e fundit për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës (KiE). Me gjithë votimin e suksesshëm pro anëtarësimit që është realizuar në Asamblenë Parlamentare, çështja e Kosovës nuk është vendosur në agjendë të takimit të së premtes të Komitetit të Ministrave, trupë kjo që e ka në dorë vendimin final për anëtarësim në Këshill.
Pengesë për t’u përfshirë në agjendë është bërë përcaktimi i Kosovës për të mos përmbushur kërkesën e tri prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – që ta përcjell në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ky draft formalisht nuk është pranuar nga autoritetet e Kosovës, por përmbajtja e tij ka nxitur kritika të mëdha në Kosovë. E një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nëpërmjet një letre adresuar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së, dha zotimin se deri në fund të muajit, Kosova do ta hartojë dhe dërgojë një draft në Kushtetuese, por jo atë të BE-së. Kjo është kundërshtuar nga ndërkombëtarët.
Pasi që anëtarësimi i Kosovës nuk u vu në rend dite të mbledhjes së Komitetit të Ministrave që u mbajt në Strasbourg, Gërvalla theksoi se zotimi për draftin nuk vlen më.
“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht, ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Në reagimin e saj, fajin ua ka lënë disa shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, pa specifikuar për cilat e ka fjalën.
“Në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’u dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo ka thënë se nuk kanë lënë “gur pa lëvizur” që të mundësohet anëtarësimi, derisa ka përmendur edhe “lobimin e Serbisë” kundër një vendimi të tillë.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë. Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës”, ka theksuar Gërvalla.
E anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë e ka konsideruar çështje kohe, presidentja Vjosa Osmani.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do t’i cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka thënë Osmani.
Temë edhe Kosova
Që para se të nisë takimi i Komitetit të Ministrave, ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka thënë se Franca beson se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet shteteve në KiE, dhe se çështja e anëtarësimit duhet të shqyrtohet më vonë. Ai para seancës së Komitetit të Ministrave ka thënë se Franca është një nga anëtarët e Këshillit që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së.
“Megjithatë, Franca beson se në këtë drejtim, Kosova ka një rrugë të caktuar për ta kaluar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, ka theksuar Barrot.
Konfirmimin se është diskutuar për Kosovën, e ka dhënë edhe kryesuesja e Komitetit të Ministrave të KiE-së, Dominique Hasler. Ajo ka thënë se janë duke u shqyrtuar mundësitë e pranimit të Kosovës më vonë në këtë organizatë.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, ka thënë ajo, pas mbledhjes.
E, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se Kosova ka humbur mundësi historike që nuk është përfshirë në agjendën, dhe ka porositur Qeverinë që të angazhohet për të përmbushur zotimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Hasani ka thënë se krahas përpjekjeve për t’i përmbushur zotimet, Qeveria duhet edhe të angazhohet që në të ardhmen e afërt të mbahet edhe një tjetër mbledhje e Komitetit të Ministrave të KiE-së.
“Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash”, ka shkruar ministri i Jashtëm shqiptar në platformën sociale, “X”.
Sipas Hasanit, “të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur atë që i kemi borxh popullit të Kosovës!”.
“Mundësi e humbur”
Dështimi që Kosova të bëhet anëtare në Këshillin e Evropës ka nxitur reagime edhe në Prishtinë. Opozita ka lënë përgjegjës pushtetin.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka thënë se mundësia e humbur për t’u bërë anëtar të Këshillit të Evropës ka ndodhur për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjësisë së Qeverisë.
“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, me dështimin për anëtarësim në KiE, pushteti ka humbur legjitimitetin edhe zyrtarisht.
“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mospërfshirjen e anëtarësimit në agjendë e ka konsideruar dështimin më të madh të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit. U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e të na e hapin rrugën e integrimit”, ka shkruar Haradinaj.
E zyrtarët e Vetëvendosjes u janë kundërpërgjigjur kritikëve.
Zëdhënësi Arlind Manxhuka ka thënë se Serbia është duke kërkuar diçka përtej propozimeve që ka bërë Kosova.
“Sot u mor një vendim i padrejtë ndaj Kosovës, jo vetëm Qeverisë… Propozimet tona për ta tejkaluar këtë ngërç siç ka thënë edhe kryeministri, janë përbrenda 3 shtyllave, pra përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjeve aktuale. E Serbia kërkon diçka përtej tyre. Ajo po e kërkon 2013 dhe 2015, jo 2022 e as 2024. Ndërkaq, këta që po zhurmojnë sot, janë të fundit që do të mund të ofronin zgjidhje, meqë vetë janë pjesë e problemit që na përcjell nga viti 2013”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Anëatrësimi i Kosovës në KiE mund të bëhet edhe në mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit të Ministrave. Ato thirren në raste të veçanta, ndërkaq mbledhjet e rregullta janë një herë në vit.