Kosova rikthehet sot në kutitë e votimit, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

0
65

Sot qytetarët e Kosovës po votojnë  për herë të dytë brenda këtij viti për përbërjen e Kuvendit.

Këto zgjedhje mbahen pas dështimit për formimin e qeverisë nga legjislatura e dalë nga zgjedhjet e mëparshme, duke e futur vendin në një tjetër cikël zgjedhor dhe në një ngërç të zgjatur institucional.

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e shkurtit, mungesa e shumicës parlamentare dhe pamundësia për ndërtimin e koalicioneve çuan në bllokadë institucionale, duke e bërë të pashmangshëm shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja.

Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00, kohë gjatë së cilës qytetarët me të drejtë vote mund t’u drejtohen kutive të votimit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i votuesve është 1 milion e 999 mijë e 24 persona.

Nga KQZ kanë bërë të ditur se përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë përmbyllur me kohë dhe se votimi do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në mbarë vendin.

Një ditë para fillimit të votimit, KQZ njoftoi se materiali zgjedhor është shpërndarë në të gjitha qendrat përkatëse. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se gjatë ditës së shtunë është bërë shpërndarja e fletëvotimeve dhe materialeve të tjera nga depoja qendrore drejt qendrave komunale të numërimit, nga ku ato janë dërguar në qendrat e votimit.

“Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depo qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote”, ka thënë Elezi.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në gjithsej 910 qendra të votimit me 2 mijë e 557 vendvotime. Përveç votimit të rregullt, në secilën komunë është organizuar edhe nga një qendër për votim me kusht, gjithsej 57 vendvotime.

“Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2557 vendvotime. Pra në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht”, ka deklaruar ai.

Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve dhe do të bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të zhvillohet në qendrat komunale të numërimit, proces që pritet të fillojë të hënën.

Nga KQZ kanë bërë të ditur se rezultatet e para do të fillojnë të publikohen para orës 20:00 në platformën zyrtare të rezultateve.

Kujtojmë se në zgjedhjet e shkurtit, LVV ishte non e para me 42.3%, PDK e dyta me 20.95%, LDK në vendin e tretë me 18.27% dhe pas tyre ishte koalicioni mes AAK-së dhe Nismës me 7.06%.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here