“Kosova po futet në territor të panjohur” – Ambasadorët paralajmërojnë pas dështimit të Kuvendit

0
117

Përfaqësuesit më të lartë diplomatikë në Kosovë kanë reaguar ashpër ndaj dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga spektri politik që të gjejë një zgjidhje para skadimit të afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e cilësoi situatën si tejet të rrezikshme, duke paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri të shtunën, Kosova do të përballet me një “territor të panjohur” institucional.

“I bëj thirrje politikanëve të Kosovës të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit përpara se afati i Gjykatës Kushtetuese të përfundojë nesër. Përndryshe, Kosova po hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare”, deklaroi Hargreaves pas seancës së pasuksesshme në Kuvend.

Në të njëjtën linjë, Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, kritikoi ashpër liderët politikë për mungesën e përgjegjësisë dhe për mosrespektimin e mandatit që ua ka dhënë populli. Ai e krahasoi situatën me një ndëshkim të rëndë në futboll.

“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i Gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, si një karton i kuq, sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, u shpreh Rohde.

Ndërkohë, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, shfaqi zhgënjimin e tij për mungesën e përparimit institucional, duke theksuar nevojën urgjente për funksionalizimin e Kuvendit dhe krijimin e një qeverie të re.

“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re e të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së”, tha Orav.

Në seancën konstituive të së enjtes morën pjesë përfaqësues diplomatikë nga SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian, por prania e tyre nuk mjaftoi për të zhbllokuar procesin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here