Kosova përfshihet në legjislacionin kyç të sigurisë amerikane, Bislimi: Mesazh i qartë i SHBA-ve

0
44

Veprimtari dhe lobisti shqiptar në SHBA, Faton Bislimi ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës janë zyrtarizuar përmes përfshirjes së tyre në draft-ligjin NDAA 2026 (Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare), një nga ligjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në SHBA.

Sipas Bislimit, drafti i NDAA-së, i cili ka kaluar në Senat dhe pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve para se të dërgohet për dekretim në Zyrën Ovale, përmban një seksion të posaçëm që përcakton qartë politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

“Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovë janë kodifikuar me Ligjin NDAA 2026”, u shpreh Bislimi.

Ai tha se draft-ligji, me mbi 3000 faqe, përfshin çështje kyçe të sigurisë amerikane, nga pajisjet ushtarake e deri te strategjitë mbrojtëse, por për herë të parë është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Sipas Bislimit, NDAA 2026 përcakton se: “SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike”.

Bislimi e ka cilësuar këtë zhvillim si shumë të rëndësishëm për vendin.

“Ky është një lajm fantastik! Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të pareshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate”, ka shkruar Bislimi.

Ai theksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i palëkundur.

“Kosova asnjëherë s’ka humbë krah Amerikës. Angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm për ta bërë Kosovën të fuqishme, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Bislimi. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here