Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Europës nuk është vendosur në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit që do të mbahet më 17.05.2024.
Kështu ka njoftuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se ka gjasë që ky votim të shtyhet, sipas tij si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, anëtarësimit në KiE dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës” – ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ai ka shtuar se edhe pse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Mirosllav Lajçakut për themelimin e Asociacionit dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, bëri që pika për Kosovën të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm.
Këshilli i Europës, sipas zëvendësministrit, “po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese”. Sipas Ahmetit, kjo është në shpërputhje edhe me procesin e dialogut në Bruksel.
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.
Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.
Ahmeti ndër të tjera ka thënë se shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, që të përdorin mekanizmat e Këshillit të Europës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre.
“Për më tepër, shtyerja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkëdhelja vitin e kaluar.”
Sidoqoftë, Ahmeti konsideron se progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe se Kosova pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë si rezultat i meritës së saj.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Pas kësaj, hapi i fundit për këtë proces është votimi nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.Takimi i ardhshëm i ministrave në Strasburg në maj ka gati një muaj që është përfolur se do të jetë takimi kur do të bëhet votimi përfundimtar për Kosovën.