Fatura e rrymës së këtij muaji ngjalli shqetësim te prishtinasi Arif Arifi.
Arifit i kushtoi plot 400 euro energjia elektrike. Por, ai thotë se kjo shifër s’mund të jetë reale. Aq më pak tash kur moti është përmirësuar dhe nuk ka nevojë për t’u ngrohur me rrymë.
Pikërisht për konsumin e energjisë elektrike, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar një raport. Aty thuhet se në muajin prill ka pasur 7.3% më pak shpenzim të energjisë elektrike.
Këtë e dëshmojnë edhe qytetarët, të cilët thonë se po kujdesen që ta kursejnë rrymën.
Se qytetarët po shpenzojnë më pak, e konfirmojnë edhe nga KEDS-i.
Sido që të jetë, zhvillimet e fundit në vend lidhur me energjinë elektrike kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët.
Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e shtrenjta të rrymës. Tarifat ishin vendosur pasi që importi i rrymës nga jashtë ishte i shtrenjtë.
Mirëpo tash vendit po i mjafton rryma që po prodhohet nga tri blloqet në funksion të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Andaj, aktualisht Kosova nuk po importon energji elektrike nga jashtë vendit. Madje, po eksporton rrymë nëpërmjet ankandit në treg të lirë.