Brenda muajit dhjetor Kosova pritet të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kështu kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë, në lidhje me atë nëse është momenti i duhur për aplikim për anëtarësim për në BE, ka zëra pro dhe kundër, nga njohës të diplomacisë dhe proceseve euro-integruese.
Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, më 12 maj, këtë vit Kosova synon të aplikojë edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aplikimi pritet të bëhet gjatë dhjetorit, ka treguar për Radio Kosovën, Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Si Qeveri, kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si hap i parë, e me synim marrjen e statusit të vendit kandidat. Aplikimi do të dorëzohet këtë vit, brenda muajit dhjetor. Ndërkohë, në fund të muajit gusht, është themeluar edhe Komisioni Ekzekutiv, i cili po merret me përgatitjet e këtij aplikimi. Qeveria po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme në informimin e aleatëve dhe Presidencës Çeke të BE-së, për objektivin për të aplikuar”, ka thënë Kadiu në një përgjigje me shkrim.
Në lidhje me atë nëse është ose jo momenti i duhur për aplikim për anëtarësim në BE, ka mendime të ndryshme.
Nezir Kraki, profesor në njërin nga universitetet e Parisit, në një prononcim për Radio Kosovën, thotë se aplikimi eventual deri në fundvit nuk është i parakohshëm.
“Nuk ka kohë që përcaktohet për aplikim. Nuk mund të identifikohet momenti kështu në kohë. Kosova duhet të aplikojë me këtë strukturë, me këtë organizim kushtetues, për statusin e vendit kandidat. BE e ka ideuar një MSA për Kosovën. Serbia dhe Kosova i kanë veçantitë dhe paqartësitë e tyre. Por, Kosova definitivisht mund ta vazhdojë rrugëtimin e saj, duke deponuar kërkesën për vend kandidat në BE dhe të kërkojë sqarim për njohje nga pesë vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës”, tha Kraki.
Nga ana e tij, profesori universitar, Arben Fetoshi, thotë se ndonëse Kosova ka të drejtë në përpjekjet për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, përpjekjet e qeverisë për këtë janë të parakohshme.
“Në aplikimin eventual për statusin e vendit kandidat për BE, Kosova duhet të tregohet e vëmendshme që të mos refuzohemi. Mendoj se institucionet duhet të përgatiten fort dhe t’i kushtojnë rëndësi maksimale garantimit të procesit që do të çonte në pranimin e kërkesës dhe në dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën, e pastaj të përcaktojë kohën se kur do të bëjë këtë aplikim”, tha Fetoshi.
Që nga viti 2003, kur vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektiva evropiane, Kosova është vendi i vetëm që nuk ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian./RTK