Sot në Zyrih të Zvicrës është hedhur shorti zyrtar për play-offin e Botërorit 2026, ku Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarin e saj. “Dardanët” do të përballen me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale, shkruan 04 Online.
Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e gjysmëfinaleve dhe finales së play-offit do të zhvillohen mes datave 26 mars – 31 mars 2026, ku vetëm një përfaqësuese siguron biletën përfundimtare për Kupën e Botës.
Kosova e mbylli fazën kualifikuese në vendin e dytë, pas paraqitjeve solide kundër kundërshtarëve të fortë si Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, duke siguruar kështu pjesëmarrjen historike në play-off.
Kupa e Botës 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, dhe përfaqësuesja e Kosovës synon kualifikimin e parë në historinë e saj në këtë eveniment madhor./04 Online













































