Kosova hyn zyrtarisht në arenën botërore të Socca-s, formohet Kombëtarja dhe nis Liga Shtetërore

0
167

Në Prizren është shënuar një moment historik për sportin kosovar. Sot është nënshkruar kontrata mes Socca Albania dhe Socca Kosova, duke e bërë Kosovën zyrtarisht pjesë të Federatës Ndërkombëtare të Socca-s, sport i njohur ndryshe si futboll i vogël apo “kalqeto”, i cili po përjeton rritje të madhe në nivel global.

Ky anëtarësim hap rrugën për krijimin e përfaqësueses kombëtare të Kosovës në Socca, e cila pritet të debutojë së shpejti në Kampionatin Europian të Socca-s, që këtë vit do të zhvillohet në Shqipëri. Për herë të parë, lojtarët kosovarë do të kenë mundësinë të përfaqësojnë vendin në një garë ndërkombëtare të këtij sporti dinamik dhe atraktiv.

Po ashtu, është paralajmëruar organizimi i Ligës Shtetërore të Socca-s në Kosovë, ku do të marrin pjesë skuadra nga mbarë vendi. Fituesi i kësaj lige do të sigurojë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare, të cilat funksionojnë sipas formatit të një “Champions League” për këtë disiplinë.

Në këtë ligë nuk do të lejohen futbollistë profesionistë, duke iu dhënë prioritet lojtarëve të rinj dhe talenteve në zhvillim, të cilët do të kenë hapësirë të artë për të dëshmuar vlerat e tyre.

Si pjesë e aktiviteteve të para zyrtare, është njoftuar edhe organizimi i një ndeshjeje miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila pritet të sjellë emocione të veçanta dhe të forcojë edhe më tej bashkëpunimin sportiv mes dy vendeve.

Ky hap shënon një kapitull të ri për futbollin e vogël në Kosovë dhe një mundësi të re për afirmimin e sportistëve tanë në skenën ndërkombëtare./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here