Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje për formimin e njësinë e përbashkët hetimore
Marrëveshja është nënshkruar të martën nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë, kjo njësi do të përbëhet nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.
Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes, thuhet se parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.
“Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Nënshkruesit e marrëveshjes, thuhet se janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.