Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka thënë se Kosova e ka nominuar ambasadorin në Bruksel, Agron Bajramin, për të udhëhequr Kosovën në grupin e përbashkët monitorues për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Kemi nominuar ambasadorin tonë në Bruksel, Agron Bajrami, i cili mendoj se është tejet mirë i informuar, është i përfshirë dhe i ka kapacitetet dhe shkathtësitë humane që ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme në këtë trup të përbashkët monitorues”, ka thënë Besnik Bislimi.
Tutje, ai foli edhe për atë se si po shkon puna për strukturimin e këtij trupi të përbashkët monitorues.
“Afati për caktimin e grupit të përbashkët monitorues është 18 prilli. Kemi pak mosharmoni të qëndrimeve mes Kosovës dhe Serbisë se si do të duhej të dukej struktura e këtij trupit të përbashkët monitorues. Pala kosovare mendon që ideale do të ishte që personat që udhëheqin Kosovën dhe Serbinë në këtë grup monitorues të jenë të ndryshëm nga kryenegociatorët në mënyrë që t’i ikim konfliktit të interesit, ndërkaq përfaqësuesi serb mendon se ai duhet të jetë edhe kryenegociator edhe përfaqësues i Serbisë në grupin për mbikëqyrje të implementimit të marrëveshjes. Ne kemi dërguar nominimin tonë për këtë pozicion dhe presim që para takimit të radhës të krerëve të qeverisë, BE-ja të vendosë strukturën menaxhuese të grupit të përbashkët monitorues”, u shpreh Bislimi në këtë intervistë.
I dyti i qeverisë së Kosovës tha po ashtu se pas marrëveshjes së Ohrit, ka qenë dakordimi që në një afat të shkurtër kohor të zhvillohet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, i cili është mbajtur më 4 prill.
Ndërkaq, ai theksoi se e arritura e datës 4 prill ka qenë dakordimi për tekstin e dokumentit për personat e zhdukur me dhunë i cili do të aprovohet pastaj nga liderët në takimin e tyre të radhës.
“I kemi pasur edhe diskutimet e para për atë se si do të duhej të sekuensohet implementimi i pjesëve të marrëveshjes bazike. Duke qenë se në marrëveshjen bazike në do raste kemi pasur kërkesë për urgjencë ose hapa të menjëhershëm, ka qenë e kuptueshme që pjesa kryesore është fokusuar te marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë dhe po ashtu jemi dakorduar që shumë shpejt në Bruksel të kemi prezantimin e parë të draftit të grupit menaxhues për vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë”, tha Bislimi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.