Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

0
55

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë arritur përsëri pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

Duke folur pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.

Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

Bislimi shtoi se pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ia ka dërguar një letër Komisionit Evropian, në të cilën thekson se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.

Por, ai theksoi Serbia duhet së pari ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes, për t’u cilësuar si e sinqertë përpjekja e Vuçeviqit.

Bislimi tha se si kusht, e përsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në shtator 2023.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse nënshkruhet Marrëveshja.

“Nuk mund të insistohet kur, për këtë punë, së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave. Mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja”, tha ai.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.

Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

Disa orë pas takimit, Lajçak tha se “diskutuam për një numër çështjesh me rëndësi që burojnë nga marrëveshjet e kaluara dhe u pajtuam për hapat e ardhshëm”, pa shpjeguar më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here