“Kosova çdo ditë importon rreth 4 milionë euro rrymë”

0
36
Foto: Ilustrim

Afaristët në Kosovë thonë se reduktimet e energjisë elektrike kanë shkaktuar humbje për bizneset e tyre me dhjetëra mijëra euro. Deklaratat pasuan pohimet e institucioneve se reduktimet vijnë si pasojë e zhvillimit ekonomik. Përfaqësues të bizneseve kërkojnë nga qeveria ta rregullojë situatën e krijuar me energji elektrike dhe të bëjë subvencionimin e pagave për aq kohë sa bizneset nuk kanë funksionuar. Njohës të fushës së energjisë flasin për humbje milionëshe qoftë nga bizneset qoftë nga buxheti i shtetit për importin e energjisë elektrike

Deklarata e ministres e ekonomisë Artane Rizvanoll dhe drejtuesve të KOSTT-it se reduktimet e energjisë elektrike, lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, ngjallën pakënaqësi tek bizneset, veçanërisht ato të prodhimit.

Pronari i një fabrike në Ferizaj, Njazi Musliu, i cili ka rreth një javë që ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike, flet për dhjetëra mijëra euro humbje.

“Po veç në paga kemi mbi 4 mijë euro humbje sepse punëtorët duhet me i pagu, pastaj kemi humbje edhe në prodhim ne ende nuk i kemi kalkuluar mirë mirë por kemi humbje dhjetëra mijëra euro sepse dërgesat porositë që i kemi është dashtë me i nisë”, tha Musliu për rtv21.

Njohës të fushës së energjetikës, fajtor për gjendjen e krijuar e lë qeverinë e Kosovës, pasi sipas tyre, ajo ka nxitur qytetarët për blerje të pajisjeve efeçente për ngrohje dhe nuk ka përllogaritur si duhet shpenzimet e energjisë elektrike. Ndërkaq ish-ministri i tregtisë dhe industrisë Ismet Mulaj, tha se aktualisht Kosova importon 3 deri në 4 milionë euro në ditë dhe prapë përballet me reduktime. Mulaj, gjithashtu vlerëson se bizneset në Kosovë si pasojë e reduktimeve humbasin 10 herë më shumë.

“Aktualisht Kosova importon 3-4 milionë euro rrymë mirëpo humbjet nga bizneset janë 10 fish më të mëdha sepse ato duhet të gjejnë alternativa të tjera për të mos e ndalur veprimtarinë e tyre. Kosova nuk i ka shfrytëzuar mundësitë që të krijojë termocentralet Kosova A dhe Kosva B”, tha Mulaj.

Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht gjatë orës 18:00 deri në mesnatë, pothuaj të njëjtën thirrje që edhe Minstria e Ekonomisë iu bëri qytetarëve pak ditë më parë për, siç tha, racionalizim të shpenzimeve të energjisë. Ndërkohë, kryetari i dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi, tha se qeveria duhet t’i paguaj dëmet që janë shkaktuar nga reduktimet e energjisë elektrike.

“Ne ka ditë që kemi marr ankesat nga bizneset dhe kemi kërkuar nga qeveria subvencionimin e pagave për punëtor sepse punëtorët duhet t’i paguajnë se ata dalin në punë. Ndërsa edhe humbjet janë tejet të mëdha”, tha Krasniqi.

Sipas ekspertëve të energjetikës, Kosova konsumon rreth 32 mijë MWh në ditë, ndërsa aktualisht është duke prodhuar rreth 17 mijë MWh. Ndërkohë aktualisht çmimi në bursa ndërkombëtare për një MWh është rreth 160 dollar. Përveç kësaj qytetarët në Kosovë janë ankuar se kanë pranuar fatura tejet të larta të energjisë elektrike. Ndërsa Agjencia e statistikave flet për një rritje të çmimit të energjisë për 5.9 % gjatë muajit nëntor 2024.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here