Kosova 14 vjet shtet me vetëm 117 njohje

0
342

Me 117 njohje ndërkombëtare të shtetësisë Kosova e përmbylli 14 vjetorin e pavarësisë së saj.

Në 5 vitet e fundit mëvetësinë e saj e kanë njohur vetëm 4 shtete.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se kanë përgatitur një strategji për shtimin e numrit të njohjeve.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, thonë se procesi i njohjeve duhet të jetë prioritet dhe për këtë institucionet duhet të punojnë më shumë.

Bangladeshi, Madagaskari, Barbadosi dhe Izraeli janë katër shtetet e vetme që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, në pesë vitet e fundit.

Për procesin e njohjeve, i cili ka stagnuar viteve të fundit, vlerësohet se ka ndikuar dialogu Kosovë-Serbi dhe diplomacia e ngathët kosovare.
Fitimi i njohjeve është proces kompleks që kërkon përgatitje të mira, pohon profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar, Valon Murtezaj, sipas të cilit, njohjet duhet të jenë prioritet qeverisës.

“Nëse njohjet janë prioritet kjo nënkupton alokim të kohës, përgjegjësive dhe kapaciteteve në këtë drejtim. Në disa vitet e fundit nuk kemi parë një alokim të vëmendjes për të fituar njohje të reja nga institucionet e Kosovës. Kjo qasje duhet të jetë individuale për shtetet e caktuara, që të punohet me diplomaci, duke gjetur interesa të përbashkëta me shtetet që mund ta njohin Kosovën”, tha ai.

Tutje, profesor Murtezaj thotë për Radio Kosovën se çështja e njohjeve duhet të jetë prioriteti numër një dhe i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Me qëllim të shtimit të numrit të njohjeve, kjo ministri ka hartuar një strategji për njohje të reja, tha ditë më parë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, gjatë
prezantimit të raportit të Politikës së Jashtme të Kosovës 2021.


“Në planin tonë vjetor kemi pasur të ndërtojmë një strategji për njohje – edhe kemi një strategji të tillë. Idea jonë ka qenë që të analizojmë secilin shtet që nuk e njeh Kosovën dhe ta ndërtojmë një qasje më sistematike, drejt ndërtimit të raporteve me këto shtete.

Përveç njohjeve po punojmë që të nënshkruajmë marrëveshje për marrëdhënie diplomatike me shtetet me të cilat ende nuk kemi marrëdhënie të tilla”, tha ai.

Kosova, njohjen e fundit e ka pranuar nga Izraeli. Kjo ishte njëra ndër pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020, e ndërmjetësuar nga SHBA dhe e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në marrëveshjen e Washingtonit Kosova kishte pranuar moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ishte pajtuar
që për një vit të ndalojë fushatën e saj për çnjohje. Për këtë pikë të marrëveshjes, e cila kishte afat njëvjeçar, është kritikuar në vazhdimësi ish-kryeministri Hoti, nga presidentja aktuale, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti./ajtim Çuni/Radio Kosova

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here