Korenica është gati për Kosovën, pret gjëra të mëdha nga Dardanët në ndeshjet e nëntorit

0
57

Sulmuesi i  Clujit, Meriton Korenica është shprehur se është i gatshëm në rast ftese nga trajneri i Kosovës, Franco Foda për ndeshjet e nëntorit kundër Sllovenisë dhe Zvicrës.

Në një intervistë për emisionin “ FAVORIT ”  në T7 Korenica është shprehur rreth momentumit që po kalon skuadra e tij Cluj, ftesës së kombëtares së Kosovës si dhe lajmeve rreth transferimit të tij.

“Besoj se ekipi ka treguar se mund të luaj kundër kujtdo. Kemi bërë shumë ndeshje të mira dhe jemi ende në garë kështu që duhet të besojmë deri në fund. Është e rëndësishme që ekipi të hyjë me besim të plotë dhe të jap gjithçka nga vetja në fushë, dhe objektivi i parë është që të sigurojmë play-offin por në futboll gjithçka është e paparashikueshme kështu që duhet të besojmë deri në fund. Kemi një grup shumë të mirë, shumë pozitiv dhe unë jam shum optimist”, tha Korenica.

Korenica u pyet edhe rreth ndjenjës së përfaqësimit të Kosovës si dhe a pret ftesë nga trajneri Franco Foda.

“Për çdo futbollist është ëndërr me përfaqësu vendin e vet dhe unë nuk bëj përjashtim këtu. Jam gjithmonë i gatshëm dhe i motivuar të kontribuoj për vendin tim dhe shpresoj që të vjen ftesa, por këtë e di trajneri, i cili është ai që vendos dhe nëse e sheh të arsyeshme të jem pjesë edhe në këtë grumbullim, pse jo ,  unë gjithmonë do të jem i gatshëm të japë maksimumin për kombëtaren”, theksoi futbollisti nga Rahoveci.

Meriton Korenica këtë sezon në të gjitha garat ka 22 paraqitje,  duke shënuar pesë herë dhe duke asistuar katër herë mirpo forma e skuadrës rumune nuk është aspak e mirë  ku gjendet në pozitën e 13-të të kampionatit rumun.

Korenica u shpreh edhe për thashethemet rreth transferimit të tij.

“Te ekipi i Clujit gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë. Fillimi i sezonit nuk ka qenë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në tabelë nuk jemi shumë mirë, jemi shumë poshtë por shpresoj që të rikthehemi shumë shpejt aty ku ekipi i Clujit e ka vendin, në krye të tabelës. Kam kontribuar në disa gola dhe asiste por nuk kanë qenë të mjaftueshme për të dal nga kjo situatë që është në klub, por shpresojmë që të dalim shumë shpejt nga kjo situatë. Sa i përket anës së transferimit, kam pasur disa oferta. Nuk mund të them asgjë sigurt se çfarë mund të ndodh por kam pasur disa oferta në verë dhe mund të ketë ndonjë mundësi që në janar të bëjë ndonjë lëvizje, mirëpo do të bisedojë me klubin dhe të shikojmë se cila është më e mira për të dy anët për të ardhmen time”.

Kosova do të zhvillojë 2 ndeshjet e fundit kundër Sllovenisë  dhe Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Lojtarët dardan synojnë kualifikimin në Kupën e Botës që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Kanada dhe Meksikë në vitit 2026./Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here