Kopshti në Prizren kushtëzon pranimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara

0
187

Vendimi i një institucioni parashkollor në Prizren që të mos pranohen fëmijët me pelena si dhe që fëmijët me aftësi të kufizuara arsimore të mos vijojnë deri kur Drejtoria Komunale e Arsimit t’i dërgojë kopshtit një a dy asistentë për fëmijët, ka nxitur reagime.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, KOMF, ka shprehur shqetësim dhe indinjatë me këtë vendim të kopshtit në lagjen “Bajram Curri” në Prizren. Sipas organizatës, vendimi mohon të drejtën e fëmijëve me aftësi të kufizuara për edukim, kujdes dhe zhvillim në këtë institucion.

“Mohimi i të drejtës së fëmijës me aftësi të kufizuara për edukim, kujdes dhe zhvillim në fëmijërinë e hershme përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Edukim në Fëmijërinë e Hershme dhe Konventës Ndërkombëtarë për të Drejtat e Fëmijës”, thuhet në reagim.

Edhe drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini Beqiri, ka reaguar kundër vendimit dhe ka theksuar se ai përbën shkelje të të drejtave themelore të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ajo ka paraqitur Ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme që parasheh “të drejtën e të gjithë fëmijëve për edukim cilësor gjithëpërfshirës bazuar në nevojat individuale të tyre”.

“Vendimi është në kundërshtim të plotë me Konventën Për të Drejtat e Fëmijëve, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjet e tjera të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hajdini-Beqiri.

KOMF dhe “Down Syndrome Kosova” kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit që ta adresojë këtë rast me urgjencë dhe që vendimi të shfuqizohet menjëherë.

Vendimi parasheh kufizime për fëmijët me “nevoja të veçanta arsimore dhe fëmijët me pampersa”.

“Fëmijët të cilët janë me pampersa, nuk mund të pranohen apo të vijojnë mësimin në kopshtin tonë deri në momentin e heqjes së pampersës. Rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore të cilët janë të regjistruar në kopshtin tonë dhe të cilëve u është bërë vlerësimi në bazë të një instrumenti vlerësues të cilin ua kemi dërguar Drejtorisë Komunale të Arsimit për ta vlerësuar, këto raste nuk mund të vijojnë mësimin deri në momentin kur në kopshtin tonë na e sjellin nga DKA-ja një apo dy asistent për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore”, thuhet në vendimin e kopshtit./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here