Dy muaj më parë ishte bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet për konkursin që kishte për qëllim pranimin e tre stomatologëve në QKMF-në në Prizren.
Pas mbajtjes të testit me shkrim, pothuajse një vit nuk kishin dalë rezultatet e arritura nga kandidatët konkurues, teksa është bërë me dije se gjatë rrugëtimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje Kryetarja e Komisionit, Dashurije Beqaj, së bashku me dy anëtarë.
Përkundrejt kësaj, Prokuroria Themelore në Prizren pati vendosur që ti nisë hetimet rreth këtij konkursi.
E kur kanë kaluar dy muaj nga nisja e hetimeve, 04 Online është interesuar që të marrë vesh se deri në cilën fazë kanë arritur këto hetime.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti, referuar pyetjeve të 04 Online ka konfirmuar se rasti në fjalë aktualisht ëshë në fazën e hetimeve.
“Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se rasti në fjalë aktualisht është në fazën e hetimeve. Prokurori i shtetit brenda afateve ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore“, ka konfirmuar Mehmeti.
Në këtë konkurs kanë qenë të përfshirë rreth 30 kandidatë, duke synuar ti zënë tri pozitat për Doktor Stomatolog në QKMF-në në Prizren, e i cili është anuluar./04 Online