Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur mbrëmë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke insistuar që ai s’do bëhet asnjëherë, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufca ka thënë se Serbia kërkon në Kosovë autonomi territoriale përmes Asociacionit, por një gjë të tillë nuk do t’u lejohet kurrë, pasi që sipas tij, është e pamundshme.
“Pozicioni i Serbisë është autonomi territoriale në Kosovës. Ne kurrë nuk do t’ia japim atë, kurrë. Nuk është e mundshme kjo, a kupton? Është pak banale me thënë, në kuptimin absolut universal, është e pamundshme të gjendet një formë asociacioni. Ne kemi bre asociacion të komunave në Kosovë”, është shprehur Konjufca në T7.
Tutje, Konjufca tha se një Asociacion në bazë të negociatave Kosovë – Serbi, nuk do të bëhet kurrë, pasi siç tha, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e pranon një Asociacion pa kompetenca joekzekutive.
“Asociacioni si formë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës, kurrë nuk ka me u bo. Vuçiqi nuk e pranon një Asociacion jo-ekzekutiv, Kosova nuk e pranon një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.
Kryekuvendari tha se Kosova ka garanci ndërkombëtare që Asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutie nuk mund të bëhet në Kosovë.
“Por, ata po thonë shko fol me Vuçiqin”, u shpreh ai.