Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se ende s’ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, përkundër takimit të së enjtes në Bruksel. Ai shton se dakordimi për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore është vetëm në nivelin politik, por jo për mënyrën sesi të ecet përpara për deeskalimin e situatës. Sipas tij, zgjedhjet e reja në veri duhet të organizohen vetëm në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.
Konjufca akuzon Serbinë se po kërkon autonomi territoriale në veri, derisa thekson se do t’i bindin ndërkombëtarët se Kosova është në të drejtën e saj për situatën në katër komunat veriore. Kryeparlamentari Konjufca flet edhe për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, iniciativën e presidentes Osmani për unifikimin e spektrit politik dhe gatishmërinë e opozitës për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“E vetmja pajtueshmëri e qartë ishte ajo e nivelit politik, jo konkret dhe praktik sesi të ecet përpara. Por e nivelit politik që të gjithë pajtohen se ka nevojë për zgjedhje të reja në veri. Ky është i vetmi emërues i përbashkët që e ka karakterizuar takimin (e Brukselit). Të tjerat, sa i përket kërkesave të zotëri Vuçiq, ato janë të papranueshme për Kosovën natyrisht… Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, duhet të shkohet me procedura kushtetuese, jo me procedura antidemokratike. Pasi, edhe qysh shkohet në zgjedhje të reja, Kosova e ka opsionin e vet ligjor dhe demokratik civil. Kurse, Serbia e ka opsionin e ushtrimit të dhunës përmes grupeve që janë të orkestruara”, thotë Konjufca.
Konjufca deklaron se qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes krijimit të një vakumi institucional në veri dhe pastaj trazirave të vendose Kosovën para një fakti të kryer, që pastaj të kërkojë një zgjidhje politike për një formë autonomie territoriale.
Mirëpo, ai thotë se kjo është e papranueshme për Kosovën.
“Kjo ka qenë një përpjekje e qartë që përmes krijimit të një vakumi institucional në pjesën e veriut të Kosovës prej nëntorit të vitit të kaluar dhe pastaj me ushtrimin e dhunës së grupeve të armatosura, duke sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e NATO-s, me qitë Kosovën para një fakti të kryer. Kjo është një zgjidhje politike në formë të një autonomie territoriale për atë pjesë të Kosovës. Ky ka qenë qëllimi konkret dhe kryesor i Vuçiqit dhe Serbisë. Kjo është edhe arsyeja pse ka ndërhyrë Policia e Kosovës dhe pse ne e kemi zgjedhur rrugën e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë sa i përket zgjedhjes së kryetarëve që gjithçka të shkojë sipas ligjit dhe Kushtetutës. Kjo është rruga jonë e vetme dhe e drejtë që e kundërshton rrugën e bandave dhe krimit”, thekson ai.
Konjufca shprehet i vendosur se do t’i bindin ndërkombëtarët që Kosova është në të drejtën e vet për vendosjen e ligjshmërisë në veri.
Ai përmend edhe arrestimin e të dyshuarve për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
“Ka dallim ndërmjet bandave dhe njerëzve që marrin urdhra dhe popullit, i cili përgjithësisht nuk është i përfshirë atje dhe i shikojnë punët e veta. Por sa i përket këtyre që marrin urdhra dhe ushtrojnë drejtpërdrejtë dhunën, ky është një dallim shumë i qartë. Qeveria është duke e bërë këtë dallim, arrestimi i (Milun) Milenkoviq, ai ka një dosje kriminale me dhjetëra vepra, i dyshuar edhe për dy vrasje. Si mund të thuhet ai është provokim, çfarë provokimi është ajo. I njëjti njeri nëse është në Prishtinë dhe është me nacionalitet shqiptar, ai arrestohet në mes të Prishtinës. Pse të jetë ndryshe për një rajon tjetër, pasi krijojmë standarde të dyfishta… Ne duhet t’i bindim ndërkombëtarët që kjo është një e drejtë e Kosovës, s’ka të bëjë me civilët dhe është vetëm përpjekje (e Serbisë), pasi janë quajtur zgjedhjet legjitime, kryetarët e kanë përgjegjësinë që të ushtrojnë detyrën nga vendi i tyre i punës”, shton kryeparlamentari Konjufca për kp.
Në anën tjetër, Konjufca kërkon lirimin pakushte të policëve të rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
Madje, ai shton se në kthimin e tyre në shtëpi nuk duhet të ketë asnjë kushtëzim nga ana e Serbisë.
“Së paku tri shtete kanë qenë të qarta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit të Shtetit, Gjermania, Berlini zyrtar dhe Londra zyrtare, kanë qenë të qarta se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, që ata duhet të kthehen pakushte në Kosovë. Tash kjo mbetet prej anës së Serbisë të zbatohet, por Serbia siç po shihet nuk i respekton këto thirrje ndërkombëtare. Përmes kësaj, ajo dëshirojë të krijojë një levë më të madhe të kushtëzimit ndaj Kosovës, ndoshta të kërkojë shkëmbime sa i përket këtyre tre policëve. Mirëpo, kjo nuk është një temë për të cilën ka pazare. Kjo është një temë që duhet të kryhet siç tha ShBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe. Ata duhet të kthehen pa kurrfarë kushtëzimi. Në kthimin e tyre nuk ka një fjalë “por duhet të bëhet kjo”. Ata duhet të kthehen të pakushtëzuar”, deklaron ai.
Krahas këtyre, Konjufca, kritikon kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku që nuk shkuan në takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.
“Nuk mendoj se kanë bërë mirë që nuk kanë shkuar në takimin e presidentes, pasi është qasje e gabuar. Mendoj se zotëri Haradinaj bëri mirë që shkoi në takimin e thirrur nga presidentja. Nuk mundesh edhe të ankohesh në presidenten, e cila nuk po luan rolin e saj sipas tyre dhe të njëjtën kohë të minosh këtë përpjekje të saj të mirë dhe fisnike për t’i ndihmuar vendin, që të grumbullojë forcat politike dhe të marrë mendimet e tyre sesi të ecet përpara. Pra nuk mundesh të ankohesh se presidentja nuk po na thërret kurrë dhe në mundësinë e parë që ajo të thërret të refuzohet ftesa. Mendoj se është kontradiktore dhe nuk është qasje që i ndihmon qytetarëve të Kosovës”, thekson Konjufca.
Sa i përket mocionit të mosbesimit të përmendur nga AAK-ja, por edhe kërkesave së fundmi të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi për shpërndarje të Kuvendit, Konjfuca, thotë se i vetmi siklet i opozitës është se për të rrëzuar Qeverinë Kurti, iu duhen edhe votat e Listës Serbe, ndaj ky opsion është pa perspektivë.
“Nuk shkon shpërbërja (e Kuvendit) ashtu. Kosova i ka procedurat e veta demokratike dhe shtetërore. Mendoj se të vetmin siklet që po krijohet në këtë aspekt është se për të rrëzuar Qeverinë Kurti është e domosdoshme ardhja e Listës Serbe, kjo është ajo që iu pengon faktorëve vendorë dhe kjo është arsyeja pse nuk shohin ndonjë perspektivë të këtij opsioni”, përfundon Konjufca.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të enjten në Bruksel ka pritur në takime ndara, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithëse, Borrell ka theksuar nevojën për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, palët ende nuk janë marrë vesh për formën si të ndodhë kjo.
Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, por ka thënë se kjo duhet të ndodhë vetëm me zgjidhje ligjore dhe kushtetuese. Ai ka theksuar se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri.