Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit pa u arritur njohja de facto nga Serbia.
Ai ka thënë se Kosova nuk duhej të bëjë asnjë hap pa u realizuar njohja nga Serbia.
“Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator në të cilin Kosova tashmë është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet takimi i 2 majit që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi. Unë mendoj që në dy binarë është e ndërtuar marrëveshja. Binari i parë është njohja de-facto nga ana e Serbisë ndërsa binari i dytë është Asociacioni të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”, ka thënë Konjufca, transmeton EkonomiaOnline.
Kryekuvendari nuk pret që ndonjë version i ri për Asociacionit të pranohet më 2 maj. Për këtë fajëson ekipin menaxhues të Serbisë.
“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një ekip i menaxhimit i cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë ai.
Deklaratat e Konjufcës shihen edhe si përgjigje ndaj të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se deri më 2 maj pret nga Qeveria e Kosovës që të ketë një propozim për Asociacionin.
Më 2 maj, është paraparë takimi i kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.