Në një seancë dëgjimore në Nënkomitetin për Evropë të Kongresit amerikan të mbajtur këtë të mërkurë në Uashington, është folur për sfidat me të cilat po përballet NATO-ja.
Një nga temat kryesore të diskutimit dëgjues ishte dhe situata e sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe perspektiva e shtetit më të ri në Evropë për t’u anëtarësuar në aleancën-veri atlantike.
Kongresisti republikan, Keith Self, në hapje të seancës foli për rëndësinë e sigurisë dhe përparimet demokratike të Kosovës, e po ashtu edhe domosdoshmërinë për ta kundërshtuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në rajon, transmeton Klankosova.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për aktivitetet destabilizuese që burojnë nga Serbia dhe Republika Sërpska – zhvillime që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve amerikanë dhe të NATO-s.
Ndërsa, Admirali në pension, Mark Montgomery, gjatë kësaj seance dëgjimore vlerësoi se Serbia dhe Republika Sërpska, minojnë stabilitetin në Ballkan.
“Serbia dhe Republika Sërpska janë aktorë të rrezikshëm që minojnë stabilitetin në Ballkan”, tha ai.
Self madje tha se Gjeneral Cavolli i ka thënë atij se “Bosnja dhe Hercegovina mund të kollapsojnë brenda natës”.
Ai kujtoi edhe operacionin e NATO-s më 1999, teksa tha se kjo aleancë “hyri në luftë për Kosovën duke e bombarduar Serbinë”.
Ndërkaq, kongresisti Self tha se Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria e Rumania që rrethojnë tri entitete që nuk janë pjesë e NATO-s.
“Janë Bosnja, Serbia dhe Kosova. Kosova dëshiron të jetë në NATO. Presidenti më thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështja më e rëndësishme për Kosovën”, theksoi kongresisti Keith Self.