Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion gjatë mbrëmjes së djeshme, ku ka arritur të konfiskojë 91 kilogramë marihuanë në Konushefc të Podujevës. Ka arrestuar një person dhe tre të tjerë janë në kërkim.
Përmes një konference për shtyp, Policia ka treguar se i ka vëzhguar personat për një kohë të gjatë dhe gjatë ditës së djeshme ka marrë veprime konkrete, duke përcjellë e më pas ndalur një veturë të dyshimtë.
“Personat në veturë nuk kanë përfillur urdhrat policorë për ndalim, kanë rritur shpejtësinë dhe më pas kanë goditur njërin prej policëve duke i shkaktuar lëndime të leha trupore. Kjo ka detyruar që njërin prej hetuesve ta shkrep armën dy herë. Për këtë është njoftuar edhe Prokuroria. Më pas, vetura është braktisur dhe të dyshuarit ia kanë dalë të arratisen në këmbë”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, major Reshat Murselaj.
Gjatë kontrollimit në veturë, Policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë, të cilat peshojnë mbi 91 kilogramë. Janë sekuestruar katër vetura e mbi 650 euro.
Është kontrolluar shtëpia e njërit prej të dyshuarve, F.M., 55-vjeç, në Konushefc të Podujevës, ku dyshohet se është përdor si depo për ruajtjen e substancave narkotike. Është kontrolluar edhe një shtëpi në Brodosan të Dragashit, i të dyshuarit M.Q., por nuk është gjetur asgjë.
Një personi i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim.
Sipas Murselajt, droga kishte ardhur nga Shqipëria dhe kishte destinacion vendet e Bashkimit Evropian.