Policia e Kosovës sot do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas konfiskimit të armatimit në komunën e Zveçanit ditën e premte.
Konferenca do të nis në ora 12:00, transmeton Telegrafi.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme lidhur me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku policia ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake. Në konferencë pritet të marrë pjesë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla dhe drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, në veri Policia ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një veturë me targa të Serbisë.
“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Në njoftimin e bërë nga Policia theksohet se, të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”.
Tensione në veri ka pasur që nga dita kur kryetarët e rinj shqiptar kanë marrë detyrën. Serbët lokalë kanë organizuar protesta të dhunshme, ku janë lënduar shumë ushtarë të KFOR-it, policë, gazetarë dhe kameramanë. /Telegrafi/