Ka filluar konferenca dëgjimore lidhur me ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale, më 29 prill 2022.
Kjo seancë e sotme ka filluar me probleme të shumta teknike.
Si fillim gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka pyetur ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, nëse ai mund të konfirmojë se ka pranuar zgjerimin e aktakuzës (apo saktësisht aktakuzën e re).
Por probleme të shumta teknike kanë pamundësuar dëgjimin e përgjigjes së Thaçit.
Pas disa minutave, Thaçi tha se nuk ka arritur as të kuptojë aktakuzën për shkak të redaktimeve tejet të mëdha që janë bërë në të.
Përpos kësaj, ish-presidenti Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm.
“Nuk kam çfarë të shtojë, por deklarohem i pafajshëm megjithëse ende s’kam arritur që ta lexojë aktakuzën, por deklarohem i pafajshëm.”, tha Hashim Thaçi.
“Zotëri gjyqtarë theksova se amendamentet tuaja janë shumë të redaktuara nuk mund ti lexojë, nuk kam arritur dhe prandaj s’i kam kuptuar , por deklarohem i pafajshëm.”, përfundoi ai, transmeton lajmi.net.
Konferenca dëgjimore është duke vazhduar, e vërejtje lidhur me aktakuzën dhe zgjerimin e saj pati edhe pala mbrojtëse e Thaçit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do bëjnë paraqitjen e mëtejshme në orare të ndryshme.
Thaçi e nis i pari në ora 10:00, Veseli në ora 11:15, Krasniqi në ora 14:00 dhe i fundit Selimi në ora 15:15.