Anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, e kanë pritur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë në Sarajevë. Zyrtarët e Bosnjës e Hercegovinës e falënderuan atë për heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët e BeH-së.
Mediat në Bosnje raportojnë se Komshiq e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës për vendimin për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, duke theksuar se vlerëson një veprim të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe rrjedhimisht të pazakontë të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës.
“Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e tregtisë së ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Komshiq.
Raportohet se Komshiq me këtë rast iu referua edhe kritikave lidhur me vizitën e Kurtit në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga ‘Republika Srpska‘ dhe rajoni.
“RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për lëshimin e vizave. për hyrjen në Bosnje-Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së BH-së me siguri nuk do ta pyesin Dodikun apo dikë tjetër me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë. Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi e dukshme e përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presionin ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të Bosnjë-Hercegovinës në drejtimin e politikës së jashtme”, ka theksuar Komshiq.
Komshiq dhe Kurti diskutuan për proceset e përgjithshme politike dhe sociale në rajon.
Edhe anëtari tjetër i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, është taktuar në Sarajevë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Në takim është thënë se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqen, stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Në komunikatën për media thuhet se Beqiroviq theksoi se politikanë të caktuar nga ‘Republika Srpska’ duhet të “ndalen me propagandën Gebelsian”.
“Sot nuk po diskutojmë për njohjen e Kosovës, sepse për të gjithë është e qartë se një vendim i tillë kërkon konsensus në Presidencën e BeH. Njerëzit përgjegjës duhet të insistojnë gjithmonë në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në diskutime konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga procesi i Berlinit. Ne nuk do të lejojmë askënd të mendojë se ata mund të disiplinojnë udhëheqësit e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të përcaktojnë me kë, ku dhe kur mund të bisedojnë. Le ta harrojnë atë përgjithmonë”, ka thënë Beqiroviq.
Në komunikatë theksohet se bashkërisht u theksua rëndësia e vendimit të Kosovës për lejimin e njëanshëm të lëvizjes së lirë me karta identiteti për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës me rastin e 10 vjetorit të Procesit të Berlinit.
Beqiroviq ka theksuar rëndësinë e zbatimit të të gjitha detyrimeve që dalin nga procesi i Berlinit.
Në Berlin u nënshkruan marrëveshje, që nënkupton një lidhje më të mirë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me përshtatjen me standardet e Bashkimit Evropian. Ndër të tjera u nënshkrua edhe Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor.
Beqiroviq nënvizoi faktin se Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë ratifikuar të gjitha marrëveshjet për liberalizimin e lëvizjes në rajon.
“Për fat të keq, qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë mundësinë e hyrjes së lirë në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të bllokadave të paarsyeshme nga entiteti i BeH-së i RS, që është shkelje e marrëveshjeve të nënshkruara të Procesit të Berlinit”, ka thënë ai.
Ai përkujtoi se në vitin 2019, ish-kryetari i Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik, i dërgoi një ftesë zyrtare presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për të ardhur në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sarajevë, tha ai, ishte një veprim i mirë i Dodik dhe për këtë arsye ai “nuk duhet të ndjekim një politikë të ndërprerjes”.
Beqiroviq falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen e saj në promovimin e së vërtetës dhe drejtësisë për gjenocidin ndaj boshnjakëve. Më 7 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Rezoluta parashikon ndalimin e mohimit të gjenocidit dhe shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe solidaritetin e Kosovës me Bosnjën dhe Hercegovinën pas përmbytjeve katastrofike që goditën vendin tonë në fillim të tetorit të këtij viti kur Qeveria e Kosovës i dha ndihmë financiare Bosnjë e Hercegovinës për rimëkëmbje, njoftoi Presidenca e BeH”, thuhet në komunikatë.
E kryetarja e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, ka thënë se anëtarët e Kryesisë, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, e kanë keqpërdorur ndërtesën e Kryesisë për një vizitë private të Albin Kurtit dhe shtoi se “zyrtarisht asnjë nga shërbimet në Presidencë kanë ditur për këtë vizitë, as nuk kanë qenë të përfshirë në organizim”.
Kurti e nisi vizitën e tij me një takim në Kryesinë e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa më pas do të ketë një takim në Këshillin e Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.
Pasdite do të jetë folës kryesor konferencën e Asociacionit të Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. Tema e konferencës është zhvillimi i marrëdhënieve në rajon me referencë të veçantë për Bosnje e Hercegovinën dhe Republikën e Kosovës./RTK