Komisioni për Drejtësi Tranzicionale ende në sirtar

0
64

Në janar të vitit të kaluar, presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësi Tranzicionale që trajton trashëgiminë e luftës në Kosovë dhe njoftoi hartimin e një draft-statuti. Por ky mekanizëm që buron nga Strategjia e Drejtësisë Trancionale nuk u arrit të krijohet gjatë këtij mandati të saj.

Komisioni Presidencial për Drejtësi Tranzicionale, që u iniciua vitin e kaluar, nuk do të krijohet në mandatin e presidentes Vjosa Osmani, që tashmë po i afrohet fundit.

Duke ndjekur një objektiv të dalë nga Strategjia e Drejtësisë Trancicionale, Zyra e Presidentes, vitin e kaluar kishte draftuar një statut që parashihte një Komision për Drejtësi Tranzicionale me një mandat trevjeçar që do të adresonte çështjen e viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Por ekipi i presidentes, i ka konfirmuar Radio Kosovës se procesi është ende në fazën e konsultimeve. 

Komisioni synonte të kontribuojë në njohjen dhe një kulturë solidariteti me viktimat e luftës, duke ofruar mbështetje psikosociale e logjistike për të mbijetuarit dhe të dokumentojë historitë e tyre, sidomos të mbijetuarve të  dhunë seksuale gjatë luftës.

Vasfije Krasniqi Goodman, një nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, shpreson që kjo iniciative të formalizohet.

“Çdo iniciativë që mbështet viktimat duhet përkrahet dhe duhet të funksionojë seriozisht”, i tha Krasniqi Goodman Radio Kosovës.

Komisioni gjithashtu parashihte seanca publike që përfshijnë si të mbijetuarit ashtu edhe autorët e krimeve, gjë që është tipar dallues i komisioneve të së vërtetës dhe pajtimit. 

Iniciativa fillestare për një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit e ish presidentit Hashim Thaçi, e nisur në vitin 2017 mbeti në letër, pasi ai u paraburgos në vitin 2020, nën dyshimin për bashkëveprim në krime.

Sipas hulumtuesve të fushës së drejtësisë tranzicionale, si Nora Ahmetaj, është e paqartë pavarësia e kësaj iniciative.

“Si presidente, Vjosa Osmani nuk e ka shfrytëzuar hapësirën për ta udhëhequr drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën”, tha Ahmeti për Radio Kosovën. “Kjo fushë i është lënë kryeministrit”.

Përderisa Osmani po shpreson të votohet edhe për një mandat tjetër në mars, mbetet e pasigurt nëse do të themelohet më vonë ky mekanizëm që i raporton drejtpërdrejt kreut të shtetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here