Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kuvendin Komunal të Prizrenit, Nazife Kokollari-Tahiri, ka bërë thirrje për një angazhim të përbashkët në ndërtimin e një Prizreni më të zhvilluar, më të shëndetshëm dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët, shkruan 04 Online.
Në mesazhin e saj, Kokollari-Tahiri ka theksuar tre shtyllat mbi të cilat synon të fokusohet gjatë mandatit të ardhshëm: shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
“Për një Prizren më të shëndetshëm! Për arsim cilësor e të rinj me mundësi! Për zhvillim dhe përparim në çdo lagje të qytetit tonë!” ka deklaruar ajo.
Kandidatja e AAK-së shtoi se ndryshimi i vërtetë arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit qytetar, duke theksuar se çdo votë është një hap drejt një Prizreni më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë.
“Bashkë mund ta bëjmë ndryshimin që e meritojmë,” përfundon mesazhin e saj Kokollari-Tahiri.
Sipas saj, AAK-ja ofron një vizion të qartë për zhvillimin e Prizrenit, ku shëndeti publik, arsimi modern dhe mundësitë për të rinjtë zënë vend qendror në politikat lokale.